Secondary Adv

2024, një familje shpenzoi 93 mijë leke në muaj, 40 për qind shkon për ushqime

Në vitin 2024, familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 93 mijë lekë në muaj, ku gati 40% e buxhetit u drejtua për ushqime — përqindja më e lartë në Europë.

Ushqimet, pesha më e madhe në buxhetin familjar

Ushqimet zënë gati 40% të buxhetit të familjeve shqiptare, duke ruajtur të njëjtën peshë si në vitin 2023. Kjo përqindje mbetet më e larta në Europë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 13% dhe e rajonit nën 35%.

 

Sipas të dhënave të INSTAT për buxhetin e familjeve, një familje shqiptare shpenzoi mesatarisht 93 mijë lekë në muaj për konsum, me një rritje modeste prej 1,5% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse shpenzimet totale janë rritur, struktura e buxhetit ka mbetur pothuajse e pandryshuar, me ushqimin që vijon të zërë peshën më të madhe në ekonomi.

 

Në vitin 2024, grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” përbënte 39,6% të shpenzimeve mujore, me një shumë mesatare prej 36,879 lekësh për familje.

 

Rritje e lehtë në mobilim, transport dhe veshje

INSTAT raporton se disa kategori të tjera kanë pasur rritje më të madhe të shpenzimeve, si “mobilim dhe mirëmbajtje e banesës” (+5,7%), “transporti” (+5,2%) dhe “veshje e këpucë” (+4,4%). Megjithatë, pesha e tyre në buxhet ka ndryshuar shumë pak.

 

Shpenzimet për mobilim përbëjnë 6,8% të totalit (nga 6,6% një vit më parë), transporti 7,1% (nga 6,8%), ndërsa veshjet dhe këpucët 5,1% (nga 5,0%). Nga ana tjetër, shpenzimet për shëndet u tkurrën lehtë nga 4,3% në 3,8%, ndërsa për arsimin nga 3,5% në 3,3%.

 

Familjet shpenzuan mesatarisht 8.944 lekë në muaj për banesë, ujë, energji dhe qira — 9,6% e totalit të buxhetit — me një ndryshim minimal nga viti i kaluar.

 

Në të njëjtën kohë, shpenzimet për restorante dhe hotele u rritën me 4,1%, duke arritur 7,6% të buxhetit, për shkak të rritjes së kërkesës për shërbime akomodimi dhe ngrënie jashtë shtëpisë.

 

Tirana, me konsumin më të lartë në vend

Sipas “Anketës së Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare 2024”, familjet e qarkut Tiranë kanë shpenzimet më të larta në vend, me një mesatare mujore prej 108.588 lekësh — rreth 17% më shumë se mesatarja kombëtare. Kjo diferencë lidhet me çmimet më të larta të banesave, ushqimeve dhe shërbimeve, si dhe me të ardhurat më të larta të familjeve urbane.

 

Kryeqyteti përmban pjesën më të madhe të popullsisë aktive ekonomikisht dhe të punësuar në sektorë me paga më të larta, si administrata, financat dhe shërbimet.

 

Pas Tiranës, Korça dhe Durrësi renditen me konsumin më të lartë, përkatësisht me 91.418 lekë dhe 90.218 lekë në muaj. Në Korçë, shpenzimet lidhen me struktura familjare më të vogla, të ardhura të qëndrueshme dhe ndikimin e turizmit dimëror. Ndërsa Durrësi përfiton nga turizmi bregdetar dhe afërsia me Tiranën, si dhe nga punësimi në tregtinë dhe shërbimet portuale.

 

Në nivel mesatar qëndrojnë qarqe si Fieri (87.171 lekë) dhe Shkodra (85.891 lekë), që mbështeten kryesisht në bujqësi, industri të lehtë dhe shërbime. Megjithëse të ardhurat janë më të ulëta, kostot e jetesës në këto zona janë më të përballueshme, duke ruajtur një ekuilibër të qëndrueshëm në buxhetet familjare.

 

Rajonet me konsum më të ulët

Qarqet Elbasan (80.929 lekë), Berat (84.475 lekë), Lezhë (84.542 lekë) dhe Gjirokastër (84.420 lekë) kanë shpenzime nën mesataren kombëtare. Këto zona karakterizohen nga struktura familjare më tradicionale, me më shumë anëtarë dhe prirje për autokonsum, sidomos në zonat rurale.

 

Në fund të renditjes qëndrojnë Kukësi (75.048 lekë) dhe Dibra (75.883 lekë), me gati 30% më pak shpenzime se Tirana. Këto qarqe kanë konsum dhe të ardhura më të ulëta për shkak të largësisë nga qendrat urbane, mungesës së tregjeve të zhvilluara të punës dhe varësisë së lartë nga remitancat. Familjet në këto zona mbështeten kryesisht te bujqësia për vetëkonsum dhe kanë akses më të kufizuar në shërbime publike. /Monitor(https://monitor.al/2024-nje-familje-shpenzoi-93-mije-leke-ne-muaj-40-shkon-per-ushqime/)


Më të lexuarat