Secondary Adv

Sigurimi nga tërmetet, Malaj: Skema e ligjit të ri siguron kompensim të shpejtë për dëmet

Ministria e Financave zhvilloi një takim konsultativ për projektligjin e ri që synon sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, me qëllim forcimin e mbrojtjes financiare ndaj fatkeqësive natyrore.

Konsultim publik për projektligjin e sigurimit të detyrueshëm të banesave nga tërmetet

Ministria e Financave zhvilloi sot një takim konsultativ me grupet e interesit mbi projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”. Takimi u drejtua nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, i cili theksoi rëndësinë e procesit të konsultimit publik dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Bankën Botërore në hartimin e draftit, duke u bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare.

 

Ministri Malaj solli në vëmendje ndikimin e thellë që pati tërmeti i 26 nëntorit 2029 për qytetarët shqiptarë dhe ekonominë kombëtare, me një kosto të drejtpërdrejtë prej rreth 7.5% të Produktit të Brendshëm Bruto. Ai nënvizoi se, megjithëse tërmetet janë fatkeqësi të paparashikueshme, marrja e masave parandaluese është thelbësore për të reduktuar efektet e tyre ekonomike dhe sociale.

 

Mbrojtje financiare për pronarët e banesave

“Nisur edhe nga fakti se Shqipëria është një vend me potencial sizmik, hartimi i këtij kuadri ligjor do të na shërbejë si një mekanizëm i qëndrueshëm financiar, pasi do të ofrojë mbrojtje reale për pronarët e banesave, duke siguruar kompensim të shpejtë dhe efikas për dëmet e shkaktuara nga tërmetet,” u shpreh z. Petrit Malaj.

 

Ai theksoi se në hartimin e projektligjit janë ndjekur modele të suksesshme si ato të Turqisë dhe Rumanisë, për të garantuar një zbatim efikas të praktikave më të mira ndërkombëtare. Qëllimi është reduktimi i kostove ekonomike dhe fiskale që mund të shkaktohen nga katastrofat natyrore dhe forcimi i sistemit të menaxhimit të rrezikut në vend.

 

Rritja e mbulimit të sigurimit dhe krijimi i Fondit Kombëtar për Tërmetet

Ministri i Financave shprehu bindjen se zbatimi i këtij ligji do të rrisë gradualisht mbulimin efektiv të sigurimit ndër vite dhe do të përmirësojë ndjeshëm sistemin e menaxhimit të riskut në Shqipëri, duke krijuar një mbrojtje më të qëndrueshme financiare për qytetarët.

 

“Ky projektligj në vetvete përfaqëson një hap të rëndësishëm edhe kundrejt krijimit të një sistemi kombëtar të menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë, përmes krijimit të Fondit Kombëtar për Tërmetet, si një entitet që do të kontribuojë në mbrojtjen afatgjatë të investimeve, si dhe në stabilitetin ekonomik e mirëqenien e qytetarëve,” tha Ministri.

 

Në përfundim të fjalës së tij, ai theksoi angazhimin e Ministrisë së Financave për të vijuar bashkëpunimin me të gjitha grupet e interesit dhe për të siguruar që projektligji të reflektojë nevojat reale të qytetarëve, duke krijuar një sistem sigurimi efektiv dhe të drejtë për të gjithë.

 

Vazhdimi i procesit të konsultimit publik

Takimi i sotëm u zhvillua në kuadër të procesit të konsultimit publik për projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, i cili nisi me publikimin e tij gjatë muajit korrik 2025 në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike. /Monitor(https://monitor.al/sigurimi-nga-termetet-malaj-skema-e-ligjit-te-ri-siguron-kompensim-te-shpejte-per-demet/)


Më të lexuarat