Secondary Adv

Ekonomia e Ballkanit Perëndimor ngadalësohet në 2026, mungesa e fuqisë punëtore mbetet sfidë

Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në vitin 2026, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, për shkak të pasigurive globale dhe sfidave strukturore në tregun e punës.

Shqipëria përballet me ngadalësim të rritjes ekonomike në vitin 2026

Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet më tej në vitin 2026, duke arritur në 3.5%, nga 3.7% që parashikohet për vitin aktual.

 

“Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet në 3,7 për qind në vitin 2025 dhe 3,5 për qind në periudhë afatmesme, për shkak të pasigurive në tregtinë globale dhe ndryshimeve në perspektivën ndërkombëtare. Megjithatë, një zbatim më i shpejtë i reformave të mbështetura nga BE-ja mund të përshpejtojë ritmin e rritjes së të ardhurave për frymë deri në 3.1 për qind mbi skenarin bazë, si edhe konvergjencën me standardet e jetesës së BE-së”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

 

Edhe vendet e tjera të rajonit ndodhen në një trajektore të ngjashme zhvillimi.

Sipas Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, rritja e kombinuar ekonomike e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë pritet të arrijë në 3.0% në vitin 2025 — 0.2 pikë përqindje më pak se parashikimet e mëparshme. Rritja pritet të përshpejtohet gradualisht në 3.1% në vitin 2026 dhe 3.6% në 2027.

 

Ballkani Perëndimor përballet me sfida strukturore në tregun e punës

“Ballkani Perëndimor po përparon në drejtim të ngushtimit të hendekut të zhvillimit me ekonomitë më të përparuara të Bashkimit Evropian, por rritja mbetet e pamjaftueshme për të përmbushur aspiratat e qytetarëve,” – deklaroi Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, për të shndërruar rajonin në një ekonomi moderne, nevojitet riformulimi i strategjive të punësimit, përfshirë rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës, përmirësimin e aftësive të popullsisë dhe zgjerimin e bizneseve përmes teknologjive digjitale.

 

Raporti thekson se rajoni përballet me një paradoks të tregut të punës: mungesë të fuqisë punëtore në disa sektorë, ndërkohë që shkalla e papunësisë mbetet mbi 10% dhe pjesëmarrja në forcën e punës nën 55%. Kjo situatë është veçanërisht e ndjeshme për gratë, të rinjtë dhe të moshuarit.

 

Tendencat demografike po e thellojnë këtë sfidë. Popullsia në moshë pune ka rënë ndjeshëm dhe parashikohet të tkurret me gati 20% deri në vitin 2050. Nëse këto prirje vazhdojnë, Ballkani Perëndimor mund të përballet me mungesë prej mbi 190 mijë punëtorësh gjatë pesë viteve të ardhshme.

 

Reformat, çelësi për rritje të qëndrueshme dhe konkurruese

Për të hapur rrugën drejt një rritjeje më të qëndrueshme, Ballkani Perëndimor duhet të investojë në infrastrukturën bazë, e cila është thelbësore për krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Kjo përfshin forcimin e sistemeve të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës, veçanërisht për gratë. Investimet në infrastrukturën e transportit, mjedisit dhe energjisë do të mundësojnë lidhje më efikase midis bizneseve dhe punonjësve, duke rritur produktivitetin dhe konkurueshmërinë.

 

Një tjetër prioritet mbetet forcimi i qeverisjes dhe krijimi i një mjedisi të qëndrueshëm rregullator për bizneset. Nxitja e konkurrencës në sektorë strategjikë si energjia dhe transporti, reformimi i ndërmarrjeve shtetërore, thjeshtimi i procedurave dhe mbështetja e start-up-eve do të krijojnë kushte më të favorshme për rritje dhe inovacion.

 

Gjithashtu, mobilizimi i kapitalit privat për të mbështetur bizneset përmes financimeve, garancive dhe sigurimeve është një element kyç. Kjo qasje do të nxisë përdorimin e teknologjive digjitale dhe të gjelbra, duke bërë ekonominë më produktive dhe më konkurruese në rajon. /Monitor(https://monitor.al/ekonomia-e-ballkanit-perendimor-ngadalesohet-ne-2026-mungesa-e-fuqise-punetore-mbetet-sfide/)


Më të lexuarat