
Nga 1 janari, sa do të rritet taksa e ndërtesës për shtëpitë dhe dyqanet në rrethe
Nga 1 janari 2026, do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës për apartamentet në rrethe, të cilat pritet të sjellin rritje të ndjeshme të taksës së ndërtesës.
Rritje e zonave kadastrale dhe ndikimi në taksa
Sipas të dhënave zyrtare, numri i zonave kadastrale është shtuar nga 65 në 119, duke reflektuar ndryshime të rëndësishme në çmimet e referencës që përdoren për llogaritjen e taksave mbi ndërtesat.
Si pasojë, qytetarët dhe bizneset në rrethe do të përballen me rritje të detyrimeve vjetore, pasi baza e taksueshme për taksën e ndërtesës përcaktohet në bazë të çmimit të referencës së shitblerjes së apartamenteve dhe ambienteve tregtare.
Durrësi, rritja më e lartë e çmimeve të referencës
Ndryshimet më të ndjeshme janë propozuar për qarkun e Durrësit, veçanërisht në zonën kadastrale nr. 13, që përfshin zonën e portit dhe projektin “Durrës Yachts Marina”. Çmimi i referencës në këtë zonë do të rritet nga 67,500 lekë në 200,000 lekë për metër katror, me një rritje prej 196%.
Një familje që zotëron një apartament 60 m² do të paguajë taksë 6,000 lekë në vit (500 lekë në muaj), nga 2,025 lekë aktualisht. Ndërsa një biznes me një dyqan 90 m² do të paguajë 36,000 lekë në vit, nga 12,150 lekë aktualisht.
Rritje 44% në Kamzë
Në Bashkinë Kamëz, çmimi i referencës për metër katror do të rritet nga 52,000 lekë në 72,000 lekë, një rritje prej 44%.
Kjo do të thotë se një familje me apartament 60 m² do të paguajë 2,250 lekë në vit (187 lekë në muaj), nga 1,560 lekë aktualisht, ndërsa një biznes me dyqan 90 m² do të paguajë 13,500 lekë në vit, nga 9,360 lekë më parë.
Vlorë, çmime të reja dhe rritje deri në 59%
Në Bashkinë e Vlorës, çmimi i referencës do të ndryshojë ndjeshëm, pasi zona do të ndahet në 7 zona kadastrale me çmime që variojnë nga 45,000 deri në 140,000 lekë për metër katror, ndërsa ishulli i Sazanit do të ketë çmim reference 200,000 lekë për metër katror.
Në disa zona, rritja e çmimeve arrin deri në 58.6% krahasuar me nivelin e vitit 2019. Një familje me apartament 60 m² në zonën nr. 1 të Vlorës do të paguajë 2,940 lekë në vit (245 lekë në muaj), nga 154 lekë aktualisht. Ndërsa një biznes me ambient 90 m² do të ketë detyrim 17,640 lekë në vit, nga 11,124 lekë – një rritje prej rreth 59%.
Tatimi mbi fitimin nga shitja e pronës, 5% nga 2026
Nga 1 janari 2026, pritet të hyjë në fuqi edhe ligji për tatimin mbi fitimin nga shitja e pasurive të paluajtshme, me një normë të reduktuar nga 15% në 5%, me qëllim lehtësimin e transaksioneve në tregun e pasurive.
Taksa e re e pasurisë, shtyhet për në vitin 2028
Megjithëse ishte parashikuar të niste në 2026, taksa e re e pasurive të paluajtshme do të shtyhet për në vitin 2028. Sipas Ministrisë së Financave, gjatë periudhës 2026–2027 do të përgatiten aktet nënligjore dhe udhëzimet për zbatimin e sistemit të ri të taksimit, që do të bazohet në vlerën e tregut të pronës.
/Monitor (https://monitor.al/nga-1-janari-sa-do-te-rritet-taksa-e-nderteses-per-shtepite-dhe-dyqanet-per-119-zona-ne-rrethe/)
Më të lexuarat









