
Hekurudha Durrës-Rrogozhinë: Kushtet nuk e mbështesin elektrifikimin, mund të bëhet më vonë
Projekti i rindërtimit të linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë mbetet një investim strategjik për transportin dhe turizmin, ndërsa elektrifikimi i saj parashikohet në një fazë të dytë.
Elektrifikimi i linjës, ende jo i justifikuar ekonomikisht
Kushtet aktuale ekonomike nuk e mbështesin ende elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, por kjo fazë mund të realizohet në të ardhmen. Ky është përfundimi i një raporti të rishikuar në gusht 2025, i publikuar nga Hekurudha Shqiptare, në kuadër të përditësimit të projektit. Dokumenti përfaqëson përmbledhjen jo-teknike të azhurnuar të studimit të fizibilitetit të vitit 2018, të rifreskuar nga kompania konsulente ENOVA.
Sipas raportit, studimi i fizibilitetit kishte analizuar dy alternativa:
- Rehabilitimin e linjës ekzistuese;
- Përmirësimin e profilit horizontal për të përmbushur standardet evropiane të shpejtësisë.
- Opsioni i dytë u vlerësua më i favorshëm për nga performanca dhe siguria.
Përfitimet mjedisore të elektrifikimit
Nga pikëpamja teknike, janë shqyrtuar dy mundësi: mbajtja e linjës jo të elektrifikuar ose modernizimi i saj në një linjë të elektrifikuar sipas standardeve të BE-së. Edhe pse kushtet ekonomike aktuale nuk e justifikojnë menjëherë elektrifikimin, dokumenti PD/DD përfshin plane për zbatimin e tij në të ardhmen për shkak të përfitimeve mjedisore: përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serrë (GHG).
Raporti thekson se opsioni i përzgjedhur është përgjegjës nga pikëpamja mjedisore dhe sociale, pasi shmang ndikime të konsiderueshme negative dhe forcon rezultatet ekonomike e shoqërore në zonën që mbulon.
Traseja dhe karakteristikat teknike
Linja hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, me një gjatësi prej 33 kilometrash, ndjek trasenë ekzistuese dhe merr rëndësi të veçantë për zhvillimin turistik të rajonit.
Pika e nisjes: pranë stacionit të Shkozetit (km 1+876)
Pika e mbërritjes: stacioni i Rrogozhinës
Sipas dokumentit, linja kalon në zona urbane, gjysmë-urbane dhe rurale, me terren kryesisht të sheshtë, përveç një segmenti pranë Rrogozhinës që përfshin tunelin e gjatë 380 metra.
Nga km 1+376 deri në km 5+100 (Shkozet–Plepa), kalon në një zonë me dendësi të lartë popullsie dhe përfshin nyjën e rëndësishme Shkozet, ku bashkohen linjat Tiranë–Durrës dhe Durrës–Rrogozhinë.
Segmenti Plepa–Kavajë (km 5+100–15+000) ndjek autostradën Durrës–Rrogozhinë, ndërsa pjesa tjetër deri në Rrogozhinë shtrihet në terren të ulët dhe kodrinor.
Financimi dhe rëndësia strategjike
Projekti pritet të financohet nga disa palë:
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH/EBRD), e cila po shqyrton mundësinë e dhënies së një kredie për Republikën e Shqipërisë, përmes Ministrisë së Financave dhe Hekurudhës Shqiptare (HSH);
Banka Evropiane e Investimeve (BEI), që do të ofrojë një kredi sovrane plotësuese;
Bashkimi Evropian (BE), përmes granteve investuese.
Zbatimi i projektit do të kryhet nga HSH dhe linja bën pjesë në Korridorin Pan-Evropian VIII, që përfshin territorin e bashkive Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë.
Ky investim strategjik pritet të përmirësojë ndjeshëm transportin hekurudhor, të lehtësojë lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave, si dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik e turistik të zonës perëndimore të vendit.
/Monitor (https://monitor.al/hekurudha-durres-rrogozhine-raporti-kushtet-nuk-e-mbeshtesin-elektrifikimin-mund-te-behet-me-vone/)
Më të lexuarat









