Secondary Adv

Nga ngërçi politik po dëmtohet ekonomia e Kosovës, mbi 1 mld euro të bllokuara

Ngërçi politik pas zgjedhjeve të 9 shkurtit po rëndon ndjeshëm ekonominë e Kosovës, paralajmëron Lidhja e Bizneseve të Kosovës.

Ngërçi politik po dëmton ekonominë

 

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e krijuar pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit, ku mungesa e institucioneve funksionale dhe e vendimmarrjes e ka futur vendin në ngërç të plotë ekonomik.

Në reagimin e saj, LBK thekson se për shkak të inateve politike, po dëmtohet ekonomia e vendit, po bien investimet dhe qytetarët si edhe bizneset po ndjejnë çdo ditë pasojat e papërgjegjësisë politike.

 

“Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit, ndërsa Kosova po përballet me rritje të importit dhe ulje të eksportit, gjë që thellon bilancin negativ tregtar dhe dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor. Mungesa e reformave fiskale dhe pezullimi i politikave zhvillimore kanë krijuar një klimë pasigurie në sektorin privat.”

 

Investimet dhe grantet e bllokuara

 

Sipas LBK-së, mbi 1 miliard euro kredi dhe grante zhvillimore janë bllokuar në Kuvend për shkak të mungesës së funksionimit institucional.

 

“Këto mjete, që do të mund të investoheshin në energji, infrastrukturë, arsim dhe prodhim, sot qëndrojnë të palëvizshme, ndërsa bizneset përballen me vështirësi të mëdha në terren.”

 

Lidhja e Bizneseve paralajmëron se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në ngadalësimin e rritjes ekonomike, largimin e kapitalit dhe rritjen e kostove të prodhimit për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike.

 

Sfida të shumta ekonomike dhe politike

 

Kosova po përballet njëkohësisht me:

- Çmime të larta të energjisë dhe kosto të shtuara të prodhimit;

- Mungesë të investimeve të huaja dhe rrezik për largim të kapitalit ekzistues;

- Ngadalësim të rritjes ekonomike dhe humbje të vendeve të punës;

 

Pezullim të dialogut strategjik Kosovë–SHBA, që dëmton rëndë imazhin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të vendit.

 

LBK apelon për përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje urgjente të krizës politike, në mënyrë që Kosova të rifitojë stabilitetin ekonomik dhe besimin e investitorëve. Bizneset kërkojnë qeverisje funksionale, vendimmarrje dhe një klimë të qëndrueshme zhvillimore – jo bllokadë dhe pasiguri.

 

Kriza institucionale dhe pasoja politike

 

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Deputetët kanë 12 ditë kohë nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për ta përmbyllur procesin.

Megjithatë, partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për bllokadën. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, akuzon opozitën se nuk votoi Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa PDK dhe LDK akuzojnë Vetëvendosjen për pengim të konstituimit të Kuvendit.

 

Humbje zhvillimore dhe fondet e BE-së

 

Për shkak të bllokadës politike, viti 2025 cilësohet si vit i humbur për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Si pasojë, qindra miliona euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, të destinuara për Kosovën, ende nuk janë vënë në zbatim, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit tashmë kanë përfituar mjetet e para nga ky plan.

 

Ky ngërç, sipas LBK-së, rrezikon të dëmtojë jo vetëm zhvillimin afatshkurtër, por edhe pozicionin strategjik të Kosovës në rajon dhe në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

 

/Monitor (https://monitor.al/lidhja-e-bizneseve-nga-ngerci-politik-po-demtohet-ekonomia-e-kosoves-mbi-1-mld-euro-te-bllokuara/)


Më të lexuarat