Secondary Adv

Kush janë 6 kandidatët zyrtarë të Partisë Socialiste në zgjedhjet 9 Nëntorit

Partia Socialiste ka zyrtarizuar kandidatët për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen më 9 nëntor 2025 në gjashtë bashki të vendit.

Kandidatët zyrtarë të PS për zgjedhjet e pjesshme

 

Në Tiranë, Partia Socialiste ka kandiduar Ogerta Manastirliun, aktualisht deputete dhe një nga figurat më të spikatura të mazhorancës. Manastirliu ka një përvojë të gjatë në administratën publike, duke filluar karrierën në Bashkinë e Tiranës në vitin 2004, më pas si drejtuese e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe në vijim si Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe së fundmi Ministre e Arsimit dhe Sportit. Ajo gëzon një profil të njohur për menaxhim publik dhe eksperiencë politike.

 

Në Berat, kandidati i PS është Ervin Ceca, aktualisht kryetar i komanduar i bashkisë. Ceca vjen nga administrata vendore dhe mori drejtimin e bashkisë pas largimit të kryetarit të mëparshëm. Ai ka përvojë në menaxhimin e strukturave lokale dhe në koordinimin e projekteve komunitare.

 

Në Cërrik, Florenc Doka është përzgjedhur si kandidat i PS. Ai është gjithashtu në detyrë si kryetar i komanduar dhe ka qenë pjesë e strukturave administrative të bashkisë. Doka njihet për angazhimin e tij në çështjet e qeverisjes vendore dhe administrimin e shërbimeve publike.

 

Në Mat, Partia Socialiste kandidon Altin Bojnin, me profesion financier. Bojni ushtron detyrën e kryetarit të komanduar të bashkisë prej disa muajsh dhe ka një karrierë në administratën vendore. Ai synon të marrë një mandat të plotë përmes votës qytetare, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe transparencën në qeverisjen lokale.

 

Në Vlorë, kandidatja e PS është Brunilda Mersini, deputete e qarkut Vlorë. Mersini ka drejtuar më parë Spitalin Rajonal të Vlorës, duke kombinuar përvojën në shëndetësi me angazhimin politik në zonën që përfaqëson. Kjo është hera e parë që ajo kandidon për një post drejtues vendor, me objektiv forcimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e infrastrukturës lokale.

 

Në Tepelenë, kandidon Gramoz Sako, ish-komandant i Gardës së Republikës për 11 vite. Pas dorëheqjes nga ky post në shkurt 2024, Sako hyn për herë të parë në garën për administrimin vendor. Ai njihet për përvojën e gjatë në drejtim, disiplinë institucionale dhe menaxhim strukturash të sigurisë.

 

Zgjedhjet e pjesshme në këto gjashtë bashki zhvillohen pas dorëheqjeve ose shkarkimeve të kryetarëve të mëparshëm. Procesi elektoral i 9 nëntorit 2025 pritet të testojë jo vetëm mbështetjen elektorale të mazhorancës, por edhe besimin e qytetarëve në drejtimin lokal dhe stabilitetin politik në territor. /Euronews


Më të lexuarat