Rama pret kryebashkiakun e New York: Do sigurojmë fluturim direkt me Tiranën
Kryeministri Edi Rama priti në një takim në Kryeministri kryetarin e bashkisë së New York Eric Adams.
Kryeministri Edi Rama priti në ambientet e Këshillit të Ministrave Kryetarin e Bashkisë së New York-ut, Eric Adams, në një takim që theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushat e turizmit, investimeve dhe lidhjeve ajrore direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Forcimi i lidhjeve mes Shqipërisë dhe New York-ut
Gjatë takimit, u diskutua mbi potencialin turistik të Shqipërisë dhe mundësitë për thellimin e partneritetit ekonomik me qytetin e New York-ut. Rama vlerësoi rolin e Adams në nxitjen e diskutimeve për vendosjen e linjave direkte të fluturimit mes Tiranës dhe New York-ut, si një hap i rëndësishëm për rritjen e fluksit turistik dhe afrimin e diasporës shqiptare me vendin.
“Një mik që kam pasur privilegjin ta njoh falë lidhjeve të tij shumë të forta me komunitetin shqiptar në New York. Pas një premtimi të përsëritur, kryebashkiaku i New York-ut, më në fund erdhi në Shqipëri për ta vizituar, për ta parë nga afër një vend që ka dëgjuar shumë nga miqtë dhe nga unë, dhe për të diskutuar për atë që mund të bëjmë lidhur me turizmin. Kryebashkiaku ka qenë kyç në vendosjen e disa linjave direkte nga New York në vende të tjera, dhe tani po shqyrton mundësinë për fluturimin direkt me Shqipërinë”, u shpreh Rama.
Vlerësimi i Adams për zhvillimin e Shqipërisë
Nga ana e tij, Eric Adams u shpreh i impresionuar nga transformimi i Shqipërisë gjatë dekadave të fundit, duke theksuar se vendi po ecën me hapa të qëndrueshëm drejt modernizimit dhe zhvillimit urban.
“Kur mendon për këtë qytet, 25 vjet më parë ju kishit më pak se 100 drita rrugësh, ndërkohë që sot, nën këtë udhëheqje, shihni një qytet që lulëzon dhe ecën në drejtimin e duhur. Pas shumë bashkëbisedimesh në New York, ku kemi një nga komunitetet më të mëdha shqiptare jashtë vendit, doja të vija të mësoja më shumë për teknologjinë dhe mënyrën se si ky kryeministër ka arritur të udhëheqë zhvillimin e këtij vendi,” deklaroi Adams.
Ai theksoi gjithashtu synimin për të siguruar vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë fluturimi mes New York-ut dhe Tiranës, e cila do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe do të rrisë shkëmbimet turistike dhe ekonomike.
Ftesë për shkëmbime kulturore
Në përfundim të takimit, Adams i bëri thirrje të rinjve shqiptarë që të vizitojnë New York-un për të përjetuar kulturën dhe mundësitë e tij, ndërsa ftoi edhe qytetarët amerikanë të vizitojnë Shqipërinë, të cilën e përshkroi si një destinacion me bukuri natyrore, potencial turistik dhe mikpritje unike. /Scan