Secondary Adv

Kredia për biznesin e madh po rritet me ritme më të ngadalta

Kredia për korporatat mbetet segmenti dominues i huadhënies ndaj bizneseve, por ritmet e rritjes po ngadalësohen krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë.

Kredia për korporatat ruan peshën kryesore në treg

Kredia për korporatat vijon të mbajë peshën kryesore në portofolin e huadhënies për biznesin, edhe pse rritja e saj është ngadalësuar ndjeshëm gjatë këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht, kredia për këtë segment arriti në 266.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 8.4% ose rreth 21 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

 

Rritja e kredisë për biznesin e madh mbetet më e lartë krahasuar me rritjen e portofolit të përgjithshëm të kredisë për bizneset, por norma e saj është dukshëm më e ulët se në gushtin e vitit 2024, kur kjo kategori regjistronte një rritje vjetore prej 23%.

 

Financimet afatgjata nxisin investimet e reja

Të dhënat e detajuara tregojnë se segmenti i kredive afatgjata ka regjistruar normën më të lartë të rritjes, duke reflektuar orientimin e bizneseve drejt projekteve të reja investimi. Në fund të gushtit, kredia afatgjatë arriti në 129 miliardë lekë, me një rritje vjetore mbi 16%.

 

Kjo tendencë i atribuohet kryesisht rritjes së financimeve për qëllime investimi, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. Edhe pse ritmet e rritjes së këtij segmenti janë ngadalësuar krahasuar me vitin e kaluar, kredia për pasuri të paluajtshme vazhdon të rritet me 9% në bazë vjetore, duke mbështetur projekte të reja ndërtimi dhe zhvillimi.

 

Bankat rikthejnë interesin për ekspozime të mëdha

Pas krizës së kredive me probleme që kulmoi në vitin 2015, bankat shqiptare u fokusuan për një dekadë në uljen e ekspozimeve të mëdha dhe në zgjerimin e kreditimit me pakicë. Megjithatë, në dy vitet e fundit, vërehet një rikthim i interesit për klientët korporativë, ku bankat po marrin përsipër ekspozime në vlera të konsiderueshme.

 

Ky orientim përfshin edhe përdorimin e kredive sindikale, një formë bashkëpunimi mes bankave për të financuar projekte të mëdha me risk të ndarë. Një rast i tillë është marrëveshja e muajit gusht 2025, ku një grup bankash vendase akorduan 20 milionë euro kredi për kompaninë SPV Blue 2, e cila po investon në ndërtimin e një impianti fotovoltaik në Sheq-Marinas të Fierit. /Monitor(https://monitor.al/kredia-per-biznesin-e-madh-po-rritet-me-ritme-me-te-ngadalta/)


Më të lexuarat