Secondary Adv

Intervista me OLAF, si u keqpërdorën 33 mln eurot e BE nga fondet e IPARD

Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka konfirmuar parregullsi në përdorimin e fondeve IPARD në Shqipëri, duke çuar në ngrirjen e 112 milionë eurove të destinuara për zhvillimin rural.

OLAF: 33 milionë euro fonde të përdorura në mënyrë të papërshtatshme

Gati dy vjet pas raportit hetues mbi mundësinë e keqpërdorimit të fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë shqiptare, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka konfirmuar se hetimet kanë zbuluar parregullsi në zbatimin e programit IPARD.

 

Në një intervistë për revistën “Monitor”, Salla Saastamoinen, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e OLAF, deklaroi se “33 milionë euro fonde janë identifikuar si potencialisht të përdorura në mënyrë të papërshtatshme”, ndërsa Komisioni Europian ka vendosur ngrirjen e fondeve IPARD për Shqipërinë, me një total prej 112 milionë eurosh, deri në marrjen e masave të nevojshme.

 

“Ne ndjekim paratë e Bashkimit Europian kudo që shkojnë, edhe jashtë territorit të Unionit, në vendet kandidate si Shqipëria,” – theksoi Saastamoinen.

 

Hetimi zbulon parregullsi në grantet IPARD

Sipas përfaqësueses së OLAF-it, qëllimi i hetimit ishte të verifikohej nëse fondet IPARD – të dedikuara për zhvillimin rural dhe modernizimin e bujqësisë shqiptare – ishin përdorur në përputhje me kriteret.

“Hetuam dhe gjetëm prova që kishte parregullsi,” – tha ajo.

 

Raporti i OLAF-it i përcolli Komisionit Europian rekomandime financiare dhe konstatime ligjore, ndërsa zbatimi i masave mbetet në dorën e autoriteve të BE-së dhe të qeverisë shqiptare.

 

“Ne nuk jemi ata që zbatojmë ndëshkimet,” – sqaroi Saastamoinen. “Roli ynë është të japim rekomandime dhe të sigurohemi që fondet e Unionit mbrohen. Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme për Bujqësinë në Komisionin Europian vendosi ngrirjen e fondeve derisa Shqipëria të ndërmarrë hapat e duhur.”

 

Masat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare

Pas publikimit të gjetjeve, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka nisur procedurat për rikthimin e fondeve nga përfituesit që kanë rezultuar me shkelje. Dhjetëra biznese janë urdhëruar të kthejnë grantet IPARD, ndërsa për disa raste janë nisur procedura gjyqësore.

 

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka miratuar Strategjinë Kombëtare Antimashtrim, e hartuar në bashkëpunim me OLAF.

“Ne kemi dhënë komente për rëndësinë e vlerësimit të rrezikut dhe krijimin e kanaleve të raportimit të parregullsive. Jemi të kënaqur që këto elemente janë reflektuar në versionin përfundimtar,” – tha Saastamoinen.

 

Sipas saj, bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është përmirësuar ndjeshëm. Në fillim, theksoi ajo, kishte paqartësi mbi kompetencat hetimore dhe procedurat, por aktualisht komunikimi është më i qartë dhe strukturat shqiptare po ofrojnë mbështetje në terren.

 

Ngrirja e fondeve IPARD dhe pasojat për sektorin

Programi IPARD II, me një fond total prej 112 milionë eurosh, është një nga instrumentet kryesore të Bashkimit Europian për të mbështetur zhvillimin rural dhe bujqësinë shqiptare. Hetimet e OLAF kanë zbuluar parregullsi në dhënien e granteve, përfshirë dyshime mbi kontrata të manipuluara dhe përdorim të fondeve jashtë qëllimeve të përcaktuara.

 

Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në projektet bujqësore në vend, deri në momentin që Shqipëria do të ndërmarrë reformat e kërkuara për rishikimin dhe rikthimin e besimit të Komisionit Europian në administrimin e fondeve IPARD. /Monitor(https://monitor.al/intervista-me-olaf-si-u-keqperdoren-33-mln-eurot-e-be-nga-fondet-e-ipard/)


Më të lexuarat