Secondary Adv

Fotovoltaikët, hyjnë në prodhim dy impiante të rinj me kapacitet 150 MW

Dy impiante të rinj fotovoltaikë me kapacitet total prej 150 MW kanë nisur prodhimin e energjisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rritjen e burimeve të rinovueshme në vend.

Dy impiante të rinj fotovoltaikë nisin prodhimin: “Sunny Side Energy” dhe “SPV Blue” rrisin kapacitetin kombëtar

Dy impiante fotovoltaikë të rinj, me kapacitet të instaluar prej 100 MW dhe 50 MW, kanë hyrë së fundmi në prodhim, duke rritur numrin e subjekteve që kanë kaluar në një fazë të re zhvillimi dhe që pritet të shtojnë peshën e energjisë diellore në totalin e prodhimit kombëtar.

 

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi pak ditë më parë disa vendime që lidhen me impiante fotovoltaikë me kapacitete të ndryshme — nga ata deri në 2 MW, deri te impiantet më të mëdha. Veçanërisht bien në sy vendimet për “Sunny Side Energy” dhe “SPV Blue”.

 

“Sunny Side Solar Park” me 100 MW, prodhim më herët se parashikimi

Sipas ERE-së, prodhimi nga impianti “Sunny Side Solar Park” ka nisur më herët se afatet e planifikuara.

“Referuar raportit periodik lidhur me prodhimin e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit, të dërguar nga OST sh.a. për muajin gusht 2025, rezulton se sasia e energjisë elektrike bruto e prodhuar nga impianti fotovoltaik ‘Sunny Side Solar Park’ për muajin gusht është 745.2 MWh. Kjo tregon se shoqëria ka hyrë në prodhim përpara depozitimit të marrëveshjes përkatëse, në funksion të përmbushjes së detyrimit të përcaktuar në pikën 2 të vendimit nr. 13/2025,” thuhet në vendimin e ERE-së.

 

Ky impiant me kapacitet 100 MW ka dorëzuar marrëveshjen me sistemin e transmetimit dhe tashmë operon në rrjet, duke u bërë një nga projektet më të rëndësishme të energjisë diellore në vend.

 

“SPV Blue 2” me 50 MW përfundon provën 72-orëshe dhe kalon në prodhim

Edhe subjekti i dytë, “SPV Blue 2” sh.p.k., ka nisur prodhimin e energjisë gjatë muajit gusht. Me shkresën e datës 15.08.2025, shoqëria njoftoi ERE-n për nënshkrimin me OST sh.a. të marrëveshjes së operimit në rrjet dhe marrëveshjes me palën përgjegjëse për balancim.

 

Gjithashtu, kompania raportoi fillimin e procesit të energjizimit më 12.08.2025, në bashkëpunim me ekipin e OST-së, duke përfunduar me sukses provën 72-orëshe dhe futjen graduale në skemën e prodhimit.

“Në raportimin e muajit gusht 2025, OST sh.a. ka bërë me dije se shoqëria ‘SPV BLUE 2’ sh.p.k. ka prodhuar sasinë prej 5,332.4 MWh gjatë këtij muaji, fakt i cili konfirmon deklarimet e bëra nga shoqëria,” vlerëson Enti Rregullator i Energjisë.

 

Energjia diellore rrit peshën, por mbetet ende modeste

Këto dy impiante janë më të fundit që i shtohen listës së prodhuesve të energjisë diellore në vend. Më i madhi deri më tani mbetet ai i Karavastasë me kapacitet 140 MW. Në Ersekë operojnë gjithashtu dy impiante me kapacitet nga 20 MW secili, si dhe disa të tjerë më të vegjël deri në 2 MW.

 

Megjithatë, pavarësisht rritjes së numrit të impianteve, energjia fotovoltaike vijon të mbajë një peshë ende modeste në prodhimin neto vendas. Sipas të dhënave për periudhën janar–qershor 2025, vetëm 7.8% e prodhimit neto vinte nga fotovoltaikët.

 

Ky zhvillim tregon një dinamikë të qëndrueshme në zgjerimin e burimeve të rinovueshme, duke e afruar sektorin energjetik drejt objektivave të tranzicionit të gjelbër. /Monitor(https://monitor.al/fotovoltaiket-hyjne-ne-prodhim-dy-impiante-te-rinj-me-kapacitet-150-mw/)


Më të lexuarat