
Tekstilet e këpucët në krizë, punësimi në fason ra me një të pestën nga 2023 – 2025
Industria shqiptare e tekstileve dhe këpucëve po përballet me krizën më të thellë të viteve të fundit, duke humbur gati një të pestën e fuqisë punëtore brenda dy vitesh.
Industria e tekstileve dhe këpucëve humbet 20% të punonjësve në dy vjet
Industria e tekstileve dhe këpucëve ka shkurtuar rreth 8% të punonjësve ndërmjet tremujorit të dytë 2024 dhe atij të dytë 2025, ndërsa në krahasim me vitin 2023, industritë kanë humbur pothuajse një të pestën e fuqisë punëtore, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Indeksi i punësimit në fabrikat e veshjeve dhe tekstilit ra në 83.93 pikë nga 92.31 pikë që ishte në tremujorin e dytë 2024, duke reflektuar një rënie prej 8.3% brenda një viti. Kjo tendencë e vazhdueshme, e nisur që prej vitit 2023, dëshmon për përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në sektorin fason.
Krizë e thellë në sektorin e lëkurës dhe këpucëve
Edhe industria e këpucëve dhe lëkurëve po përjeton një rënie të ngjashme. Indeksi i punësimit ra me 7%, duke arritur nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në këtë seri të dhënash. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i punonjësve në sektorin fason është ulur me 22% ndërmjet tremujorit të dytë 2023 dhe atij të dytë 2025.
Këto shifra konfirmojnë presionin e fortë që po përjeton industria nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, duke e vendosur këtë sektor ndër më të goditurit e ekonomisë shqiptare.
Nga eksportues i suksesshëm në sektor në rënie
Fabrikat e tekstileve dhe këpucëve kanë qenë për një dekadë shtylla kryesore e eksporteve shqiptare dhe punëdhënës të rëndësishëm, veçanërisht për gratë në nevoja ekonomike. Megjithatë, roli i tyre është zbehur ndjeshëm pas pandemisë.
Rritja e pagës minimale dhe e kontributeve të sigurimeve shoqërore ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove për bizneset prodhuese. Me marzhe të ulëta fitimi, çdo rritje e kostos dëmton menjëherë konkurrueshmërinë.
Për më tepër, zhvlerësimi i euros ka shkaktuar falimente të shumta në njësite të vogla dhe të mesme që punonin si nënkontraktorë për fabrikat e mëdha.
Konkurrenca e huaj dhe tkurrja e kërkesës në BE
Sektori shqiptar i tekstileve dhe këpucëve konkurron kryesisht në segmentin e prodhimit me kosto të ulët. Megjithatë, vende si Turqia, Maroku apo ato të Azisë Juglindore ofrojnë çmime më të favorshme për kompanitë europiane, duke i shtyrë disa marka ndërkombëtare të zhvendosin kontratat drejt tregjeve më të mëdha e më të lira.
Ndërkohë, ngadalësimi i konsumit në vendet e Bashkimit Europian — sidomos në Itali dhe Gjermani, partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë — ka sjellë tkurrje të ndjeshme të porosive. Inflacioni i lartë në këto tregje ka bërë që konsumatorët të kufizojnë blerjet e produkteve të veshjeve dhe këpucëve, duke ndikuar drejtpërdrejt tek eksportet shqiptare. /Monitor(https://monitor.al/tekstilet-e-kepucet-ne-krize-punesimi-ne-fason-ra-me-nje-te-pesten-nga-2023-2025/)
Më të lexuarat









