
Institucionet financiare të huadhënies fituan 3 mld lekë në gjysmën e parë të vitit
Institucionet financiare jobanka kanë mbyllur gjysmën e parë të vitit 2025 me rezultate pozitive, duke ruajtur ritmin e qëndrueshëm të fitimeve dhe rritjes së aktivitetit të tyre.
Fitim neto dhe zgjerim i aktivitetit
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, institucionet financiare jobanka të huadhënies raportuan një fitim neto prej 3 miliardë lekësh për 6-mujorin e parë të vitit 2025, një nivel shumë pranë atij të një viti më parë. Në këtë grup përfshihen institucionet e licencuara për kredidhënie, mikrokredi, qira financiare, faktoring dhe blerje kredish me probleme, përjashtuar ato të parasë elektronike dhe pagesave.
Aktualisht, në treg veprojnë 24 institucione financiare jobanka me aktivitet në fushën e huadhënies. Ky sektor ka vijuar zgjerimin, me totalin e aktiveve që u rrit me 2 miliardë lekë ose 2.7%, duke arritur në 77 miliardë lekë. Me bazë vjetore, totali i aktiveve është rritur me 13.2%, duke reflektuar një ecuri të qëndrueshme dhe rritje të kërkesës për kredi.
Mikrokredia, motori kryesor i rritjes
Portofoli i kredisë së institucioneve financiare jobanka dominohet nga kreditë për individë, që përbëjnë 61% të totalit. Kjo strukturë reflekton rritjen e fortë të mikrokredisë konsumatore, veçanërisht të kredive të shpejta që janë bërë gjithnjë e më të kërkuara gjatë viteve të fundit.
Cilësia e portofolit të kredisë ka treguar një përmirësim të lehtë. Raporti i kredive me probleme në mesin e vitit 2025 ra në 12%, nga 12.2% në fund të vitit 2024 dhe 12.8% një vit më parë, duke dëshmuar për një menaxhim më të mirë të rrezikut.
Efekti i rregulloreve të reja në mikrofinancë
Pavarësisht ecurisë pozitive, që prej fillimit të vitit 2025 kanë hyrë në fuqi disa rregullore të reja që synojnë të frenojnë rritjen e shpejtë të mikrofinancës konsumatore. Këto masa ndikojnë kryesisht te kompanitë që fokusohen në kreditë e vogla për konsumatorët.
Sipas ndryshimeve, një institucion financiar jobankë nuk mund të japë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës në të njëjtën kohë. Gjithashtu, është përcaktuar një nivel tavan për raportin e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI), që nuk duhet të kalojë 60%. Ky raport përfshin këstet e të gjitha kredive ekzistuese dhe të asaj për të cilën po aplikohet, të pjesëtuara me të ardhurat neto të bashkëkredimarrësve.
Vlerësimi i aftësisë paguese dhe profilit të rrezikut
Rregullorja e re kërkon që çdo institucion financiar, përpara lidhjes së kontratës së kredisë dhe gjatë periudhës së monitorimit të saj, të vlerësojë me kujdes aftësinë paguese dhe profilin e rrezikut të kredimarrësit. Vlerësimi duhet të bazohet në të dhëna të mjaftueshme, të sakta dhe të përditësuara.
Institucionet janë të detyruara të verifikojnë burimin e të ardhurave, veçanërisht në rastet kur kredimarrësit janë të vetëpunësuar ose kanë të ardhura sezonale apo të parregullta. Këto masa synojnë të garantojnë stabilitetin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve ndaj mbingarkesës me borxh. /Monitor(https://monitor.al/institucionet-financiare-te-huadhenies-fituan-3-miliarde-leke-ne-gjysmen-e-pare-te-vitit/)
Më të lexuarat









