Secondary Adv

2024, familjet e Gjirokastrës dhe Kukësit me rritjen më të madhe të shpenzimeve mujore

Familjet në Gjirokastër, Kukës dhe Fier shënuan rritjen më të lartë të aftësisë për të shpenzuar gjatë vitit 2024, duke kaluar mesataren kombëtare.

Gjirokastra, në krye të rritjes së konsumit

 

Sipas të dhënave të INSTAT mbi Anketën e Buxhetit të Familjeve, shpenzimet mujore të njësive familjare në qarkun e Gjirokastrës u rritën me 2.9% në vitin 2024 – niveli më i lartë në vend. Rritja e konsumit në këtë qark lidhet ngushtë me zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, që pas pandemisë ka nxitur hapjen e bizneseve të reja familjare dhe zgjerimin e aktiviteteve në sektorin e shërbimeve.

 

Remitancat, nxitësi kryesor në Kukës

 

Në qarkun e Kukësit, shpenzimet e familjeve u rritën me 2.5%, duke reflektuar ndikimin e fortë të remitancave nga emigrantët. Emigracioni masiv i të rinjve drejt Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera europiane gjatë 15 viteve të fundit ka gjeneruar të ardhura të qëndrueshme për familjet, duke mbështetur konsumin lokal. Megjithatë, Kukësi mbetet qarku me nivelin më të ulët të shpenzimeve familjare në rang kombëtar, pavarësisht rritjes së shënuar.

 

Fieri, rritje e moderuar por e qëndrueshme

 

Në Fier, shpenzimet familjare u rritën me 2.3%, ndjeshëm mbi mesataren kombëtare prej 1.5%. Kjo ecuri lidhet me zhvillimin e sektorit bujqësor dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale, që kanë ndikuar pozitivisht në të ardhurat dhe konsumin e familjeve.

 

Tregjet e pjekura me rritje të ngadaltë

 

Në krahun tjetër, qarqet si Korça (0.4%), Tirana (0.5%), Lezha (0.5%) dhe Durrësi (0.7%) shënuan rritjet më të ulëta të shpenzimeve familjare. Këto zona ndodhen në një fazë më të pjekur të zhvillimit ekonomik, ku rritja fokusohet më shumë në cilësinë e shërbimeve dhe inovacionin, sesa në zgjerimin e konsumit.

 

Në Tiranë, ku shpenzimet janë më të larta në vend, një familje shpenzoi mesatarisht 108,588 lekë në muaj gjatë vitit 2024 – 14.4% më shumë se mesatarja kombëtare dhe 31% më shumë se në Kukës. Megjithatë, rritja e kufizuar e konsumit në kryeqytet lidhet me koston e lartë të jetesës, sidomos për qiratë, ushqimet dhe shërbimet arsimore.

 

Korça dhe migrimi ekonomik

 

Në Korçë, edhe pse bujqësia dhe turizmi sezonal kanë pasur zhvillim të qëndrueshëm, mungesa e investimeve industriale dhe emigrimi i të rinjve drejt qendrave më të mëdha urbane kanë ngadalësuar ritmin e rritjes.

 

Tregues i pabarazisë rajonale

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se qarqet me bazë më të ulët ekonomike po shënojnë ritme më të larta rritjeje, ndërsa zonat me ekonomi të konsoliduar si Tirana dhe Durrësi po lëvizin me ritme më të ngadalta, duke reflektuar një maturim të tregut dhe stabilizim të strukturës së konsumit. 

 

/Monitor (https://monitor.al/2024-familjet-e-gjirokastres-dhe-kukesit-me-rritjen-me-te-madhe-te-shpenzimeve-mujore/)


Më të lexuarat