Banka e Shqipërisë: Norma e interesit për kreditë në Euro u ul në 5.8 për qind
Ekonomia shqiptare është mbështetur ndjeshëm nga kredidhënia bankare gjatë vitit 2025.
Rritje e fortë e kredisë së re
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, kredia e re e akorduar nga bankat arriti në rreth 200 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.5% krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës dhe 12% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo rritje tregon për një aktivitet të qëndrueshëm kredidhënieje, i cili ka kontribuar në mbështetjen e ekonomisë reale dhe rritjen e konsumit.
Kredia për individët, shtysa kryesore e rritjes
Fluksi i kredisë së re për individët arriti në 70 miliardë lekë, nga 50 miliardë lekë në periudhën pararendëse. Kjo përbën një rritje të dukshme dhe lidhet kryesisht me kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, një treg që ka vijuar të mbetet aktiv pavarësisht çmimeve të larta.
Ndërkohë, kredia për bizneset pësoi një ulje me 6% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, çka sinjalizon një ngadalësim të kërkesës për financim në sektorin prodhues dhe atë të shërbimeve.
Norma e interesit në rënie të lehtë
Sipas Bankës Qendrore, norma mesatare e interesit për kredinë në të gjitha monedhat ra në 6.4%, duke reflektuar një lehtësim të kushteve financiare.
Kreditë në lekë regjistruan një normë mesatare prej 6.8%, pa ndryshime të ndjeshme.
Kreditë në euro u ulën nga 6.1% në 5.8%, ndikuar kryesisht nga kursi i këmbimit dhe politikat monetare më të favorshme në tregjet ndërkombëtare.
Kredi në lek, zgjedhja dominuese
Pavarësisht luhatjeve në tregjet e jashtme, bizneset dhe qytetarët po preferojnë më shumë kredi në monedhën kombëtare. Kjo prirje është forcuar si rezultat i stabilitetit të kursit të këmbimit dhe politikës së Bankës së Shqipërisë për të nxitur përdorimin e lekut në transaksionet financiare.
Edhe në terma vjetorë, rritja më e madhe e huadhënies është regjistruar në kreditë në lekë, ndonëse edhe huadhënia në euro ka vijuar me ritme pozitive. /abcnews.al