Fondet e investimit në valutë të huaj po rriten për të dytin vit radhazi
Fondeve të investimit në valutë të huaj po u rikthehet rritja.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, asetet e tyre janë zgjeruar me pothuajse 8%, duke reflektuar një përmirësim të dukshëm të performancës pas disa vitesh rënie.
Rritje e fortë e vlerës së fondeve në valutë
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, vlera e aseteve neto të fondeve të investimit në valutë të huaj u rrit me 7.9%, ndërsa në raport me mesin e vitit 2024, zgjerimi vjetor arrin në 20.2%. Këto shifra tregojnë se fondet në valutë po rikuperohen pas periudhës së vështirë të viteve 2022–2023, kur tregu u godit nga rritja e normave të interesit dhe nga zhvlerësimi i kursit të këmbimit.
Rënie e peshës ndaj tregut total të fondeve
Megjithëse asetet në valutë janë rritur, përqindja e tyre ndaj totalit të fondeve të investimit ka zbritur në 8.8%, nga 9.76% një vit më parë. Kjo tregon se fondet në lekë po rriten me ritme më të shpejta, duke reflektuar një tendencë drejt de-euroizimit të tregut financiar shqiptar, i cili është bërë më i qëndrueshëm ndaj luhatjeve të jashtme.
Kursi i këmbimit dhe ndikimi në performancë
Një faktor që vijon të ndikojë fondet në valutë është kursi i këmbimit Euro-Lek, i cili ka shënuar rënie me 2.2% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 krahasuar me një vit më parë. Ky zhvillim ka ndikuar negativisht në vlerësimin e aseteve në euro, por efekti është zbutur ndjeshëm për shkak të kthimeve pozitive të regjistruara nga fondet gjatë vitit.
Nga tkurrja në rikuperim
Gjatë viteve 2022–2023, rritja e yield-eve ndërkombëtare solli humbje në vlerën e fondeve të investimit dhe tërheqje masive të investitorëve, sidomos në fondet në valutë. Pas vitit 2024, megjithatë, performanca e fondeve është përmirësuar ndjeshëm, duke nxitur një rrikthim të interesit të investitorëve. Sipas AMF-së, të gjitha fondet në valutë raportojnë kthime vjetore pozitive në mesin e vitit 2025.
Dominimi i Raiffeisen Invest Euro
Në tregun shqiptar operojnë 13 fonde investimi, prej të cilëve 6 në valutë të huaj, kryesisht në euro. Fondi Raiffeisen Invest Euro zotëron rreth 77% të totalit të aseteve në valutë, duke mbetur aktori dominues në këtë segment. Ky fond investon kryesisht në instrumente borxhi të qeverive dhe korporatave të huaja, si edhe në kuota të fondeve të huaja të investimit.
Disa nga fondet më të reja në valutë po diversifikojnë portofolin e tyre me aksione të shoqërive tregtare, duke reflektuar një orientim të ri drejt rrezikut të moderuar dhe kthimeve më të larta afatgjata.