KQZ: Ndërpriten përgatitjet për Tiranën, më 9 nëntor zgjedhje vetëm në 5 bashkitë e tjera
Gjykata Kushtetuese pezulloi dje zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, kreu i komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka deklaruar se që nga vendimi i GJK është pezulluar procesi i përgatitjes së zgjedhjeve për Tiranën, por vijon normalisht për 5 bashkitë e tjera.
“Vijon normalisht procesi i përgatitjeve për zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera. Çdo veprim i KQZ i çdo natyre apo angazhimi tjetër që lidhjet me zgjedhjet në Tiranë është pezulluar ë ditën e djeshme. Pra në datën 9 nëntor është e siguritë që do të zhvillohen zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera, Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat.
Në momentin që GJK pezullon atë pjesë të dekretit, është sikur ai dekret të mos ekzistojë përkohësisht për atë pjesë që ka urdhëruar GJK. Do të shkelnim Kushtetutën dhe Kodin zgjedhor nëse KQZ do vijonte me procesin përgatitor për zgjedhjet në Tiranë”, tha ai.
Kujtojmë se Kushtetuesja vendosi dje pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Vendimi erdhi pas kërkesës së paraqitur nga Erion Veliaj, i cili kundërshton si shkarkimin nga detyra, ashtu edhe dekretimin e datës së zgjedhjeve të reja.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga Gjykata, pas shqyrtimit paraprak të kërkesës, është vendosur:
“Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.”
Kërkesa e Veliajt kishte si objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra si Kryetar i Bashkisë Tiranë, si dhe anulimin e dekretit të Presidentit për caktimin e zgjedhjeve të reja. Ai argumenton se këto akte janë në kundërshtim me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës së Shqipërisë. /Ballkan Web