Secondary Adv

Kontrollet e reja biometrike të BE, çfarë nënkuptojnë për qytetarët që nuk janë pjesë e saj

Duke nisur nga e diela, nis funksionimin sistemi i ri i hyrjes me të dhëna biometrike.

Të gjithë qytetarët e shteteve jo-anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë vizitorët britanikë, do të përballen me ndryshime në mënyrën se si udhëtojnë drejt dhe nga blloku, duke nisur nga e diela, kur më në fund nis funksionimin sistemi i ri i hyrjes me të dhëna biometrike.

 

Sistemi i Hyrjes/Daljes (EES) do të kërkojë që të gjithë qytetarët jashtë BE-së të regjistrojnë të dhënat e tyre personale, përfshirë gjurmët e gishtave dhe skanimet e fytyrës, kur të hyjnë për herë të parë në zonën Shengen, të gjitha vendet e BE-së përveç Irlandës, Qipros, Islanda, Norvegjisë, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit.

 

Pse po bëhen këto ndryshime?

 

Sistemi i ri elektronik do të eliminojë nevojën për vulosjen manuale të pasaportave në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe do të krijojë në vend të saj regjistra dixhitalë që lidhin dokumentin e udhëtimit me identitetin e një personi përmes të dhënave biometrike.

 

BE-ja synon të modernizojë menaxhimin e kufijve të jashtëm, të parandalojë emigrimin e paligjshëm, të luftojë mashtrimet me identitetin dhe të identifikojë qëndrimet më të gjata se lejohet.

 

Sistemi do të monitorojë nëse personat që udhëtojnë pa vizë po respektojnë rregullin e qëndrimit deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore.

 

Çfarë do të ndodhë?

 

Çdo person që hyn për herë të parë në zonën Shengen do të duhet të skanojë pasaportën, të regjistrojë gjurmët e gishtave dhe të bëjë një skanim të fytyrës.

 

Gjatë daljes, të dhënat e udhëtarëve do të kontrollohen në bazën e të dhënave të EES për të konfirmuar përputhjen me rregullat ekzistuese dhe për të regjistruar daljen.

 

Udhëtimet e mëvonshme do të kërkojnë vetëm verifikim përmes të dhënave biometrike të fytyrës.

 

Fëmijët nën 12 vjeç do të regjistrohen në EES, por do t’u merret vetëm fotografia. Udhëtarët nuk duhet të paguajnë për EES.

 

Ku do të kryhen kontrollet?

 

Në aeroportet ndërkombëtare, portet detare, terminalet e trenave dhe pikat rrugore të kalimit të kufirit në zonën Shengen.

 

Por në Portin e Doverit, terminalin Eurotunnel në Folkestone dhe terminalin Eurostar në London St Pancras, regjistrimi në EES do të kërkohet gjatë nisjes nga Mbretëria e Bashkuar, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve francezë të kufirit. Udhëtarët që mbërrijnë në destinacionin e tyre nuk do të duhet të bëjnë përsëri kontrollin deri në momentin e largimit.

 

A do të sjellë vonesa në kufi?

 

Pasi EES po zbatohet gradualisht, BE-ja është e bindur se nuk do të ketë ndërprerje të mëdha.

 

Zyrtarët kufitarë do të kenë mundësinë të pezullojnë përkohësisht kontrollet nëse kohët e përpunimit bëhen shumë të gjata.

 

Në Portin e Doverit dhe terminalin Eurotunnel në Folkestone, vetëm trafiku i mallrave dhe autobuzëve do t’i nënshtrohet kontrolleve të EES që nga 12 tetori.

 

Kontrollet për automjetet me pasagjerë do të fillojnë në nëntor në Dover dhe deri në fund të vitit në Eurotunnel. Eurostar ka njoftuar se do të prezantojë gradualisht procedurat e reja kufitare.

 

/Monitor (https://monitor.al/cfare-nenkuptojne-kontrollet-e-reja-biometrike-te-be-se-per-qytetaret-qe-nuk-jane-pjese-e-saj/)


Më të lexuarat