Ndalohet përkohësisht qarkullimi i monopatinave elektrike në rrugë, shkak aksidentet
Qarkullimi i monopatinave elektrike në rrugë, do të ndalohet përkohësisht, duke filluar nga dita e hënë.
Ky është vendimi i marrë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, pasi është shtuar numri i aksidenteve.
“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë.
Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrën biznesi për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve.
Ne do të hartojnë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do qartësojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kritere për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kasa, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar”, tha ministrja Koçiu.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, tha se që nga dita e hënë Policia do të nisë një operacion për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces.
“Që nga dita e hënë Policia e Shtetit do të përfshihet në operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve dhe prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces.
Ne kemi bërë një analizë të hollësishme në lidhje me këtë fenomen dhe kemi arritur në përfundimin që përdorimi i këtyre mjeteve po shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike.
Mjafton të përmendim faktin që vetëm për vitin 2024 janë 991 raste të raportuar nga Urgjenca për aksidentet me këto mjete. Midis këtyre rasteve ka patur edhe fatalitete dhe dëmtime shumë të rënda”, tha drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Kosova ka filluar të ndalojë qarkullimin e monopatinave elektrike në disa qytete që nga gushti i vitit 2022. Kjo masë është marrë për të rritur sigurinë e qytetarëve dhe për të menaxhuar rritjen e përdorimit të këtyre mjeteve.