Secondary Adv

OSSH 4.6 mln euro investime në rrjet në zonën e Pogradecit si ndikim i turizmit

Rritja e turizmit në Pogradec ka vënë në lëvizje OSSH-në për të përmirësuar rrjetin elektrik në zonat turistike, me synimin për të garantuar furnizim cilësor dhe infrastrukturë moderne energjetike.

Investim strategjik për rrjetin elektrik të Pogradecit

Turizmi po ndikon ndjeshëm në prioritetet e kompanive publike, të cilat po i kushtojnë vëmendje të veçantë rajoneve me potencial të lartë zhvillimi. Pogradeci është një prej këtyre zonave, ku Drejtoria Rajonale e OSSH-së në Korçë ka shpallur një tender të rëndësishëm me tre lote dhe një fond limit mbi 460 milionë lekë, ose rreth 4.6 milionë euro. Ky investim synon përmirësimin e rrjetit elektrik, jo vetëm për të përballuar rritjen e kërkesës nga konsumatorët, por edhe si rezultat i zgjerimit që po sjell zhvillimi turistik i zonës.

 

Në relacionin teknik të kontratës me objekt “Zhvillimi i Rrjetit TM 20 kV, Kabina Elektrike, Rrjet TU me përcjellsa me vetëmbajtje të tipit ABC Fiderat 2,3,4,8, N/Stacioni Pogradec dhe ndërtimi i tubave dhe pusetave për daljet e fiderave 2,3,4,8”, theksohen qartë arsyet e këtij projekti dhe rëndësia e tij për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

 

Infrastrukturë elektrike për zhvillimin turistik

“Pogradeci dhe zonat periferike të tij karakterizohen nga një zhvillim intensiv i gjithanshëm si zonë turistike. Këta faktorë kanë bërë që ritmet e rritjes së kërkesës për energji elektrike të jenë mjaft të larta. Për zonën turistike duhet zhvilluar një infrastrukturë elektrike e përshtatshme, që të garantojë një shërbim cilësor kundrejt konsumatorëve aktualë dhe njëkohësisht të jetë në përputhje me zhvillimet e pritshme afatgjata të zonës,” thuhet në dokumentin shoqërues të projektit.

 

Referuar strategjisë së zhvillimit të OSSH sh.a., projekti ka për qëllim normalizimin e ngarkesave në linjat TM, kabinat e transformimit dhe rrjetin TU, në përputhje me rritjen urbanistike dhe demografike të zonës. Në Pogradec është ndërtuar tashmë Nënstacioni i ri 20/10kV, aktualisht në fazë implementimi. Nga ky nënstacion kanë dalë 10 fidera 20/0.4kV, prej të cilëve në fazën e parë janë ndërtuar fiderat 1, 5, 6, 7, 9 dhe 10, ndërsa kanë mbetur për t’u ndërtuar fiderat 2, 3, 4 dhe 8.

 

Fokus në zonat turistike dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Ky projekt është pjesë e nismës më të gjerë të OSHEE Group për përmirësimin dhe fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes, me fokus të veçantë në zonat turistike, në përputhje me prioritetet e shpallura nga qeveria. Zhvillimi i qëndrueshëm i këtyre zonave është bërë një objektiv kyç, veçanërisht për shkak të rritjes së interesit të vizitorëve të huaj ndaj Shqipërisë si destinacion turistik gjatë viteve të fundit. /Monitor(https://monitor.al/ossh-4-6-milione-euro-investime-ne-rrjet-ne-zonen-e-pogradecit-si-ndikim-i-turizmit/)


Më të lexuarat