Secondary Adv

FSHZH, 2.7 milionë euro për rikualifikimin e rrugës Butrinti në Sarandë

Rruga “Butrinti”, një nga arteriet më të rëndësishme të qytetit bregdetar të Sarandës, do t’i nënshtrohet një procesi të plotë rikualifikimi urban.

Projekti, që do të realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), ka një fond limit prej 270 milionë lekësh (rreth 2.7 milionë euro) dhe synon të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e qarkullimit rrugor dhe të hapësirave publike përgjatë këtij aksi strategjik turistik.

 

Përshkrimi i projektit

 

Sipas raportit teknik, rruga ekzistuese ka një gjatësi rreth 3.5 kilometra dhe shërben si lidhje kryesore nga rruga “Skënderbeu” deri te kanali i Çukës. Aktualisht, ajo përbëhet nga dy korsi qarkullimi, një korsi parkimi dhe trotuare të pjesshme në disa segmente.

 

Këto elementë janë amortizuar për shkak të trafikut të dendur dhe punimeve ndërtimore në zonë, ndaj projekti parashikon zëvendësimin e shtresave asfaltike, sistemimin e kunetave, si dhe shtimin e trotuareve të reja në të dy anët e rrugës.

 

Përmirësimet kryesore teknike

Gjatësia totale: 3,450 metra

Gjerësia mesatare e rrugës: 11 metra

Korsi lëvizjeje: 1 për secilin drejtim (3 m secila)

Hapësira parkimi: deri në 2 metra në segmente të caktuara

Trotuare: 2 metra në secilën anë, me pllaka guri mbi shtresë stabilizanti 15 cm

Kuneta anësore: 0.5 metra gjerësi për kullimin e ujërave

Bordura: 15×30 cm, me përfundim mbi muret ekzistuese të gurit ku nuk ka ndërtesa

 

Trotuaret do të ndërtohen me pllaka guri dekorative, duke ruajtur pemët ekzistuese përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës. Për çdo pemë, do të realizohet konturim mbrojtës me beton, për të shmangur dëmtimet gjatë punimeve.

 

Qëllimi dhe ndikimi

 

Ky projekt pritet të rrisë sigurinë dhe komoditetin për këmbësorët dhe automjetet, të përmirësojë aksesin në zonat turistike dhe të shtojë estetikën urbane të Sarandës, që vitet e fundit ka përjetuar një rritje të ndjeshme të fluksit turistik.

 

Rruga “Butrinti” ndodhet në një zonë me densitet të lartë hotelesh, biznese dhe ndërtesash banimi, dhe përbën një akses kryesor drejt Parkut Kombëtar të Butrintit — një ndër destinacionet më të vizituara kulturore në Shqipëri.

 

/Monitor (https://monitor.al/fshzh-2-7-milione-euro-per-rikualifikimin-e-rruges-butrinti-ne-sarande/)


Më të lexuarat