Secondary Adv

Lamallari: Do rishikohet Kodi Civil, e përafrojmë me direktivat e BE

Pas ndryshimeve në Kodin Penal, qeveria po përgatit një tjetër reformë ligjore të rëndësishme: rishikimin e Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile.

Lajmi u konfirmua nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike, në seancën e përbashkët me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

 

Rishikim i plotë për përafrim me standardet e BE-së

 

Lamallari tha se ndryshimet në Kodin Civil do të synojnë adresimin e problematikave aktuale në sistemin gjyqësor civil dhe përafrimin me direktivat e Bashkimit Evropian.

 

“Do të vijojmë me një rishikim të Kodit Civil dhe atij të Procedurës Civile, për t’i përafruar me direktivat e BE-së. Është ende herët për të hyrë në detaje, por ky proces do të jetë i plotë dhe gjithëpërfshirës,” – theksoi ministri.

 

Kjo nismë pritet të pasohet nga konsultime publike dhe teknike me ekspertë ligjorë, gjyqtarë, avokatë dhe partnerë ndërkombëtarë, me synimin për të modernizuar bazën ligjore civile të vendit dhe për ta përputhur me standardet e acquis communautaire të BE-së.

 

Bilanci i vitit 2024: më shumë hetime dhe pasuri të sekuestruara nga krimi

 

Në raportin e tij vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024, ministri Lamallari vuri në dukje rritjen e hetimeve proaktive dhe pasurore, duke nënvizuar se janë sekuestruar 60% më shumë pasuri të ardhura nga veprimtari kriminale krahasuar me vitin 2023.

 

“Kemi një rritje të ndjeshme të hetimeve të nisura kryesisht dhe të hetimeve paralele pasurore. Pasuritë e konfiskuara janë rritur me 60% krahasuar me një vit më parë, ndërsa ka pasur shtim të çështjeve të korrupsionit me të pandehur konkretë,” – deklaroi Lamallari.

 

Ai shtoi se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet thelbësor, për shkak të dimensioneve gjeopolitike dhe kërcënimeve kriminale që prekin jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin.

 

Një proces reformash ligjore në vijim

 

Rishikimi i Kodit Civil dhe i Procedurës Civile konsiderohet si një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, pas përmirësimeve të bëra në Kodin Penal.

 

Të dy proceset janë pjesë e agjendës së reformës në drejtësi, e cila synon forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e transparencës dhe garantimin e të drejtave qytetare në përputhje me standardet e BE-së. /Shqiptarja


Më të lexuarat