Paketa Fiskale 2026: kërkohet ulje 50 për qind e akcizës për birrat artizanale
Shoqata e Mikrobirrarivekërkon lehtësim për prodhuesit deri në 10,000 HL, në përputhje me direktivën e BE dhe për mbështetje lokale.
Çfarë kërkohet
Shoqata e Mikrobirrarive Artizanale Shqiptare propozon “të vendoset një shkallë e reduktuar akcize deri në 50% për prodhuesit vendas me prodhim vjetor deri në 10,000 HL; të parashikohet një mekanizëm verifikimi transparent i sasisë së prodhimit vjetor, përmes raportimit në sistemin fiskal dhe kontrollit doganor; të harmonizohet korniza ligjore me Direktivën 92/83/EEC të BE, duke e bërë modelin e taksimit më afër standardeve të Unionit dhe më mbështetës për ekonominë lokale”.
Korniza ligjore dhe historiku
Që prej 1 janarit 2023 u unifikua niveli i akcizës për birrën e prodhuar në vend me atë të importit: nga 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 HL dhe 710 lekë mbi këtë nivel, në 710 lekë për të gjithë prodhuesit, vendas dhe të huaj.
Pse kërkohet ndryshimi
Sipas shoqatës, pas rreth tre vitesh zbatim, pesha e importit në konsum ka arritur rreth 70%, ndërsa prodhuesit e vegjël artizanalë (deri në 10,000 HL/vit) janë më të goditurit për shkak të pamundësisë për të përballuar të njëjtin nivel akcize si prodhuesit e mëdhenj. “Ky efekt shkon në kundërshtim me frymën e Direktivës 92/83/EEC të Bashkimit Europian…”, thekson shoqata, duke nënvizuar rolin ekonomik e turistik të prodhimit artizanal dhe nevojën për trajtim të diferencuar fiskal.
Kërkesa për ministrinë
Në përfundim, shoqata i kërkon Ministrisë së Financave të rishqyrtojë modelin aktual të akcizës për birrën prodhim vendas, me ulje deri në 50% për prodhuesit deri në 10,000 HL në vit, për të rritur qëndrueshmërinë dhe ruajtur vendet e punës.