Riparimi i asfaltit në segmentin Vorë–Ura e Dajlanit, ARRSH plan të ri për menaxhimin e trafikut
Për shkak të punimeve në segmentin Vorë–Ura e Dajlanit, ARRSH dhe Policia e Shtetit kanë vendosur një plan të ri trafiku në autostradën Tiranë–Durrës.
Për shkak të ndërhyrjeve për riparimin e shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë–Ura e Dajlanit, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan të ri menaxhimi të trafikut në autostradën Tiranë–Durrës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke filluar nga nata e sotme, 14 tetor, nga ora 23:00 deri në 06:00 të mëngjesit, do të ketë bllokim të qarkullimit në drejtimin Vorë–Durrës, përkatësisht në këto segmente:
-Vorë–Maminas
-Maminas–Sukth
-Sukth–Fllakë
-Fllakë–Mbikalimi i Shkozetit
-Mbikalimi i Shkozetit–Ura e Dajlanit
Punimet pritet të zgjasin 1–2 ditë për çdo segment, ndërsa gjatë orëve të ndërhyrjes përdoruesit e rrugës duhet të përdorin itinerarin alternativ Vorë – Maminas – Katër Rrugët e Shijakut – Durrës.
Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë–Durrës, ndërhyrjet do të vijojnë edhe në krahun tjetër, Ura e Dajlanit–Vorë, me të njëjtin plan dhe kohëzgjatje.
ARRSH thekson se ndërhyrja është e domosdoshme për rehabilitimin e aksit më të rëndësishëm rrugor të vendit dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, duke i ftuar të zgjedhin rrugët alternative për të lehtësuar trafikun gjatë punimeve. /Monitor(https://monitor.al/riparimi-i-asfaltit-ne-segmentin-vore-ura-e-dajlanit-arrsh-plan-te-ri-per-menaxhimin-e-trafikut/)