Secondary Adv

FMN ul ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2025, e çon në 3.4 për qind

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2025, duke reflektuar pasiguri në zhvillimet globale dhe rajonale.

FMN ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2025

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rishikuar në ulje parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2025. Sipas raportit më të fundit të Pasqyrës Ekonomike Globale të tetorit, ekonomia shqiptare pritet të zgjerohet me 3.4%, nga 3.8% që ishte pritshmëria në raportin e pranverës.

 

Në të kundërt, pritshmëritë për vitin 2026 janë rishikuar lehtë në rritje. FMN parashikon që ekonomia vendase të zgjerohet me 3.6%, nga 3.5% më parë. Inflacioni mesatar vjetor pritet të rritet në 2.3% në 2025, nga 2.2% që ishte në 2024, dhe të arrijë 2.8% në vitin 2026.

 

Krahasimi me rajonin

Në rajon, Kosova pritet të regjistrojë rritjen më të lartë ekonomike me 3.9% në 2025 dhe 4% në 2026. Maqedonia e Veriut parashikohet të ketë të njëjtën normë rritjeje si Shqipëria, 3.4%, ndërsa Mali i Zi pritet të arrijë 3.2%.

Ekonomia e Bosnjë-Hercegovinës do të zgjerohet me 2.4% në 2025 dhe 2.7% në 2026, ndërsa Serbia pritet të mbetet në nivelin 2.4% gjatë 2025-s.

 

Ekonomia botërore përballë tarifave dhe proteksionizmit

FMN thekson se ekonomia botërore po tregon qëndrueshmëri përballë tarifave të reja amerikane dhe politikave proteksioniste, megjithatë perspektiva mbetet “e zymtë”.

Sipas raportit të fundit World Economic Outlook, publikuar nga institucioni me qendër në Uashington, ekonomia botërore pritet të rritet me 3.2% këtë vit, nga 3% që ishte parashikimi në korrik, ndërsa për vitin 2026 parashikohet një ngadalësim në 3.1%.

 

FMN shpjegon se përmirësimi i parashikimit për këtë vit vjen nga faktorë të përkohshëm si rritja e aktivitetit ekonomik përpara aplikimit të tarifave të reja dhe dobësimi i dollarit, që ka nxitur tregtinë globale. Megjithatë, instituti paralajmëron se pritshmëritë afatgjata mbeten të zbehta.

 

“Nuk është aq keq sa kishim frikë, por është më keq se sa prisnim një vit më parë — dhe më keq se sa do të duhej,”

— deklaroi kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas.

 

Presione të reja tregtare dhe rritje e pasigurisë

Ministrat e Financave dhe drejtuesit e bankave qendrore po zhvillojnë takimet vjetore në Uashington, nën sfondin e tensioneve të reja tregtare mes ekonomive më të mëdha të botës. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar tarifa shtesë prej 100% ndaj Kinës që nga 1 nëntori, si kundërpërgjigje ndaj kufizimeve të Pekinit për eksportet e elementeve të rralla.

 

FMN vëren se tensionet tregtare mund të ndikojnë në rritjen e ngadalësuar të SHBA-së, e cila pritet të jetë 2% këtë vit dhe 2.1% në 2026. Në zonën e euros, rritja do të arrijë 1.2% në 2025 dhe 1.1% në vitin pasardhës, ndërsa Kina parashikohet të ngadalësohet në 4.8% në 2025 dhe 4.2% në 2026.

 

Analiza e FMN-së për periudhën 2025–2026

Për të shmangur shtrembërimet e përkohshme në të dhëna, FMN ka analizuar ecurinë e pritshme ekonomike në periudhën nga gjysma e dytë e 2025 deri në fund të 2026. Rezultatet sugjerojnë se ekonomia botërore do të rritet mesatarisht me 3% gjatë kësaj periudhe, duke shënuar një ulje prej 0.6 pikë përqindjeje krahasuar me normën mesatare prej 3.6% të vitit 2024.

 

Institucioni nënvizon gjithashtu se inflacioni global po stabilizohet mbi objektivat e bankave qendrore, por mbetet i pasigurt, duke e vështirësuar punën e politikëbërësve monetarë. Një shqetësim tjetër është rritja e borxhit publik, veçanërisht në Europë, ku qeveritë pritet të përballen me kosto shtesë nga plakja e popullsisë, mbrojtja dhe siguria energjetike. /Monitor(https://monitor.al/fmn-ul-ndjeshem-parashikimin-per-rritjen-ekonomike-te-shqiperise-ne-2025-n-e-con-ne-3-4/)


Më të lexuarat