Secondary Adv

Sekuestrimi i motomjeteve, sot protestë para Komisariatit të Policisë Rrugore

Organizata Drejtësi Sociale ka njoftuar një protestë në Tiranë, duke akuzuar Policinë e Shtetit për veprime të paligjshme lidhur me sekuestrimin e motomjeteve.

Protestë përpara Policisë Rrugore, akuzat ndaj institucioneve për konfiskim të paligjshëm të motomjeteve

Organizata Drejtësi Sociale ka njoftuar zhvillimin e një proteste përpara Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, duke akuzuar Policinë e Shtetit për veprime të paligjshme në lidhje me konfiskimin dhe moskthimin e motomjeteve të qytetarëve.

 

Sipas njoftimit të bërë në rrjetet sociale, protesta do të mbahet të martën, më 15 tetor, në orën 10:00, përballë komisariatit të ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu”. Ajo vjen si reagim ndaj, siç e cilëson organizata, “paligjshmërisë totale” të Policisë së Shtetit, e cila ka sekuestruar motomjete për shkak të mungesës së dokumentacionit të pronësisë.

 

Akuzat ndaj Policisë së Shtetit

Sipas deklaratës, policia ka refuzuar t’i kthejë mjetet e sekuestruara, duke pretenduar se është në pritje të një urdhri nga ministrja e Brendshme, znj. Koçiu — një veprim që organizata e konsideron “tërësisht i paligjshëm dhe arbitrar”.

 

“Policia e Shtetit u shpreh se nuk i liron dot pa marrë një urdhër nga ministrja e Brendshme, duke i mbajtur këto mjete private në paligjshmëri totale,” – thuhet në njoftimin e organizatës.

 

Drejtësia Sociale thekson se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt jetën e përditshme të shumë qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë humbur vendet e punës ose përballen me vështirësi të mëdha në lëvizje për shkak të mungesës së mjetit të transportit.

 

Thirrje për pjesëmarrje dhe përgjegjësi institucionale

Në deklaratë, organizata argumenton se situata po justifikohet si çështje sigurie, ndërkohë që në të vërtetë “është dëshmi e dështimit të shtetit për të ofruar një sistem të sigurt dhe funksional të transportit publik.”

 

Drejtësia Sociale u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të prekur të marrin pjesë në protestë përpara Komisariatit të Policisë Rrugore dhe të kërkojnë kthimin e motomjeteve të tyre. Organizata kërkon gjithashtu mbajtjen përgjegjëse të institucioneve për çdo vendim të paligjshëm, duke theksuar nevojën për transparencë dhe respektim të të drejtave të qytetarëve. /Balkanweb.com


Më të lexuarat