232.8 mln lekë për rindërtimin e kanalizimeve në Vlorë, synohet shmangia e përmbytjeve
Bashkia Vlorë hap tender për rikonstruksionin e KUB përgjatë Transballkanikes me fond limit 232,867,000 lekë.
Çfarë parashikon ndërhyrja
Tenderi “KUB Vlorë (Kanalizimet e Ujërave të Bardha) – Rindërtimi, ridimensionimi dhe rehabilitimi i kolektorëve kryesorë” mbulon segmentet sipas loteve: nga rruga e Skelës deri te rruga Hasan Kushta (Albano e Romina) dhe rruga Odhise Grillo. Fondi limit i përllogaritur është 232 milionë e 867 mijë lekë.
Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, ndërhyrjet klasifikohen si masa emergjence për të adresuar përmbytjet e shpeshta nga reshjet me intensitet të lartë në zonën e Transballkanikes.
Gjendja aktuale dhe zgjidhja e projektuar
Sistemi ekzistues i KUB paraqitet i amortizuar, me bllokime të pjesshme e të plota nga mbeturinat, çka redukton kapacitetet transportuese dhe sjell përmbytje në rrugë gjatë shirave. Në disa nyje konstatohet shkëputje e linjave, duke bërë që ujërat të dalin në sipërfaqe.
Projektimi i ri do të mbulojë të gjitha basenet ujëmbledhëse të qytetit, me prioritet zbatimi nga pjesa fundore e sistemit që shkarkon në kanalin e fushës drejt Hidrovorit; kuota fundore e këtij kanali nuk do të ndryshojë. Punimet do të realizohen me kushte dhe standarde bashkëkohore, përfshirë ato ndërkombëtare.