Secondary Adv

1 në 5 shqiptarë në rrezik varfërie, jetojnë me më pak se 324 mijë lekë në vit

INSTAT raporton ulje të lehtë të rrezikut të varfërisë në 2024, me kufirin vjetor në 324.336 lekë për person.

Treguesit kryesorë për vitin 2024

Treguesit e varfërisë shënuan përmirësim në vitin 2024, me rreth 4,7 për qind më pak individë nën kufirin e rrezikut krahasuar me 2023. INSTAT vlerëson se rreziku për të qenë i varfër është 19,2 për qind, me rënie prej 0,6 pikë përqindje ndaj të dhënave të rivlerësuara për 2023. Kufiri i rrezikut për një person u përcaktua në 324.336 lekë në vit, nga 262.325 lekë në 2023. AANJ (Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës) u përdor për matjen e varfërisë relative, shpërndarjes së të ardhurave dhe privimit material e social, në përputhje me objektivat e agjendës Evropa 2030.

 

Efekti i përfitimeve sociale

Përfitimet sociale (pensionet e pleqërisë/familjare dhe skema të tjera) ulin ndjeshëm rrezikun. Pa asnjë përfitim social, 36,7 për qind e popullsisë do të ishte në rrezik. Duke përfshirë vetëm pensionet e pleqërisë/familjare, por jo përfitime të tjera, rreziku do të vlerësohej 22,7 për qind.

 

AROPE dhe punësimi i ulët

Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ose përjashtimit social (AROPE) për 2024 u vlerësua 40,5 për qind, nga 43,2 për qind në 2023. Për grupmoshën 18–64 vjeç që jeton në familje me intensitet shumë të ulët në punësim, niveli ra në 8,4 për qind, nga 9,7 për qind një vit më parë.

 

Grupmoshat dhe gjinia

Trendi në zbritje vihet re në të gjitha grupmoshat. Zvogëlimi më i madh është te 0–17 vjeç, me rreth 0,9 pikë përqindje më pak krahasuar me 2023. Për moshat mbi 65 vjeç ka një rritje të lehtë prej 0,2 pikë përqindje.

 

Pabarazia dhe të ardhurat

Koeficienti Gini në 2024 u vlerësua 29,8 për qind, duke rënë me 0,8 pikë përqindje nga 2023. Raporti i të ardhurave S80/S20 zbriti në 4,8, nga 5,0 një vit më parë. Të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë arritën 51 mijë lekë, me rritje 23,2 për qind ndaj 2023.

 

Burimi: Revista Monitor


Më të lexuarat