Secondary Adv

Tarifa të reja në e-Albania: sa do të paguajnë qytetarët dhe bizneset

Qeveria miratoi VKM me tarifa për shërbimet elektronike të AKSHI në e-Albania; dy kategori të reja shtohen.

Çfarë ndryshon me vendimin e ri

Qeveria ka miratuar tarifat e reja për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për administratën publike, subjektet private dhe qytetarët, duke shtuar dy kategori të reja krahasuar me vendimin e vitit 2020: qytetarët shqiptarë dhe të huaj që marrin shërbimin e nënshkrimit elektronik me vlefshmëri 1 vit paguajnë 2 000 lekë, ndërsa nëpunësit e administratës që punojnë në institucione me vetëfinancim paguajnë 4 800 lekë në vit për nënshkrimin elektronik.

 

Për institucionet publike mbetet tarifa zero për nënshkrimin elektronik, vulën elektronike, certifikatën elektronike për projektin e fiskalizimit dhe transaksionet në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).

 

Tarifat që mbeten në fuqi për subjektet private

Për subjektet private vijon të zbatohet tarifa 4 800 lekë në vit për nënshkrimin elektronik me afat 1-vjeçar, 20 lekë për çdo transaksion për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike, 4 000 lekë në vit për certifikatat elektronike të projektit të fiskalizimit dhe 15 lekë për çdo transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).

 

Si kryhen pagesat dhe ku shkojnë të ardhurat

Pagesa e tarifave kryhet on-line në momentin e aplikimit përmes portalit “e-Albania”. Pagesat për shërbimet e vulës elektronike dhe transaksionet në GG realizohen periodikisht çdo muaj sipas numrit të veprimeve të kryera on-line dhe pasqyrohen në kohë reale. Të ardhurat e realizuara derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit.

 

Hyrja në fuqi dhe aktet e shfuqizuara

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ngarkon Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për zbatimin dhe shfuqizon vendimin nr. 35, datë 22.1.2020, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.

 

TARIFAT E REJA PËR SHËRBIMET ELEKTRONIKE NGA AKSHI

Për shtetasit shqiptar dhe të huaj

2000 lekë në vit për Nënshkrimin elektronik 

Për nënpunësit e administratës në institucionet me vetëfinancim

4800 lekë në vit për Nënshkrimin elektronik

 

SHËRBIMET ELEKTRONIKE ME TARIFA TË PANDRYSHUARA

Për subjektet private

4800 lekë në vit për Nënshkrimi elektronik

20 lekë Vulosje dokumentesh/transaksion

4000 lekë në vit për Certifikatë elektronike fiskalizimi

15 lekë Transaksion në platformën GG

 

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat