Secondary Adv

Eliminimi i pikave të zeza në rrugët kombëtare, ARRSH hap tenderin 83 mln lekë

Autoriteti Rrugor Shqiptar shpall tender për ndërhyrje në disa segmente problematike me rrezik të lartë aksidentesh, me fond limit 83 milionë lekë.

Tenderi për eliminimin e pikave të zeza

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur një tender me fond limit prej 83 milionë lekësh për projektin që synon eliminimin e “pikave të zeza” në rrugët kombëtare, pjesë e planit kombëtar për përmirësimin e sigurisë rrugore. Sipas njoftimit, projektet parashikojnë ndërhyrje në nyje rrugore ku janë regjistruar aksidente të shpeshta për shkak të mungesës së sinjalistikës, ndriçimit dhe infrastrukturës mbrojtëse.

 

Segmentet me ndërhyrje të planifikuara

Segmentet që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për eliminimin e pikave të zeza përfshijnë disa nyje rrugore me fluks të lartë trafiku dhe rrezikshmëri të lartë. Një prej tyre është kryqëzimi i rrugës nacionale me rrugën që lidh fshatin Laknas me fshatin Bërxullë dhe zonën përreth, ku fluksi i madh i mjeteve dhe pritjet e gjata në rrugët dytësore shpesh çojnë në manovra të rrezikshme dhe aksidente me pasoja të rënda.

 

Ndërhyrje parashikohen gjithashtu në segmentin rrugor Qafë Kashar – Rinas, në nyjen Përparim, ku janë regjistruar tre aksidente dhe mungojnë elementë thelbësorë të sigurisë si ndriçimi, korsitë e kthimit majtas dhe korsi përshpejtimi e ngadalësimi. Njëra prej rrugëve dytësore që lidhen në këtë nyje është ende e paasfaltuar, duke e rritur rrezikun.

 

Si pika të zeza janë identifikuar edhe segmenti rrugor Elbasan – Rrogozhinë dhe nyja Dajç – Gramsh, ku vërehet mungesë e elementëve bazë të sigurisë rrugore. Po ashtu, në segmentin kthesa Balldre – Mabë dhe në nyjen e Gjadrit, ku është ngritur qendra e pritjes së emigrantëve, është shtuar ndjeshëm qarkullimi i mjeteve. Në këtë nyje janë regjistruar pesë aksidente, duke e bërë atë një nga pikat më problematike. Ndërhyrje do të kryhen gjithashtu në segmentin rrugor Qerekë, Tapizë – Fushë Krujë, për të përmirësuar sigurinë dhe lëvizjen e mjeteve.

 

Qëllimi dhe rëndësia e projektit

ARRSH bën me dije se qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është rritja e sigurisë rrugore dhe reduktimi i aksidenteve në segmentet më të rrezikshme të rrugëve kombëtare. Projekti do të realizohet me financim nga buxheti i shtetit dhe pritet të përfundojë brenda afateve të përcaktuara në kontratë, me mbikëqyrje teknike dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë Rrugore dhe pushtetin vendor.

 

Burimi: Scan TV


Më të lexuarat