Secondary Adv

Metoda e Eurostat, inflacioni i shtatorit 2.3 për qind prej çmimeve të hoteleve

Inflacioni i shtatorit shënoi rritje me 2.3% sipas metodologjisë së Eurostat. Këtë muaj përbërësi i inflacionit nuk ishin ushqimet, por shërbimet e argëtimit dhe hotelerisë.

Sipas IHÇK-së, rritja më e madhe e çmimeve prej 8,8% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,5%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shërbimi arsimor” me 2,7% secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,8%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,6%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Shëndeti” me 1,1% secili, “Komunikimi” me 1,0%, “Veshje dhe këpucë” me 0,9%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,7%.

 

Në muajin Shtator 2025, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është +0,7%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Shërbimi arsimor” me 2,0%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0% secili, “Veshje dhe këpucë” me 0,9%, “Argëtim dhe kulturë” me 0,8%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,4%, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3% secili, “Shëndeti” dhe “Komunikimi” me 0,1% secili.

 

IHÇK në vendet e BE shënoi një ndryshim mesatar 2.6%. Për rritjen më të lartë të çmimeve kryesoi Rumania me inflacion rreth 8.5%, e ndjekur nga Estonia, Kroacia, Sllovakia dhe Hungaria, me norma që variojnë midis 4% dhe 6%. Këto vende po përballen ende me presione të forta inflacioniste, ndoshta të lidhura me kostot e energjisë, pagat dhe ushqimet, të cilat kanë mbetur të larta pas krizës së viteve 2022–2023.

 

Në grupin e vendeve, si Letonia, Austria, Belgjika, Holanda dhe Norvegjia, inflacioni është afër mesatares së BE-së, midis 3% dhe 3.5%. Kjo tregon një stabilizim gradual të çmimeve në pjesën më të madhe të Europës Qendrore dhe Veriore.

 

Në vendet me inflacion më të ulët, nën mesataren e unionit janë Franca, Qipro, Çekia dhe sidomos Zvicra shfaqin norma ndër më të ulëtat, nga 1.5% deri në 1%. Këto vende kanë arritur të kontrollojnë më mirë çmimet falë politikave më të qëndrueshme fiskale dhe monetare, si dhe tregjeve më të qëndrueshme të energjisë.

 

Metoda e brendshme për inflacionin (IÇK) mbulon vetëm shpenzimet e familjeve private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit.

 

Ndërsa Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, përfshirë familjet private, kolektive dhe shpenzimet e turistëve në Shqipëri. /Monitor(https://monitor.al/metoda-e-eurostat-inflacioni-i-shtatorit-2-3-prej-cmimeve-te-hoteleve/)


Më të lexuarat