Secondary Adv

FMN parashikon rritje ekonomike prej 3.9 per qind në Kosovë

Ekonomia e Kosovës pritet të zgjerohet me ritmin më të lartë në rajon gjatë vitit 2025. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendi do të shënojë rritje prej 3.9%, megjithëse më të ulët se vitin e kaluar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar rritje ekonomike prej 3.9% për ekonominë e Kosovës. Rritja është më e larta në rajon, por krahasuar me vitin paraprak ka rënie për 0.7 pikë të përqindjes. Për vitin e ardhshëm, FMN-ja ka paraparë frenim të inflacionit në produktet bazë

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rritje ekonomike 3.9% për vitin 2025.

 

Ngjashëm me Bankën Botërore, që këtë shifër e kishte 0.1 pikë të përqindjes më pak, edhe kjo organizatë ndërkombëtare në raportin e “Global Outlook” parasheh ngadalësim të rritjes së brutoproduktit vendor, krahasuar me vitin paraprak.

 

Megjithëkëtë, Kosova del me rritje më të madhe sesa vendet e rajonit.

 

Sipas raportit, Kosova do të ketë rritje të produktit bruto vendor 3.9%, e në vitin e ardhshëm 4.0%.

 

Ndërkaq Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina do të pësojnë ulje identike për 0.6 pikë të përqindjes, Mali i Zi do të mbetet në kuotën e njëjtë me vitin e shkuar, Serbia do të bjerë për 0.5 pikë të përqindjes, ndërkaq rritje do të ketë vetëm Maqedonia e Veriut, nga 2.8% sa e kishte rritjen në 2024-n, në 3.4 sivjet.

 

Për vitin 2025, FMN-ja parasheh edhe rritje të inflacionit në çmimet e konsumit. Ndërkaq për vitin e ardhshëm është parashikuar ngadalësim i rritjes së këtyre çmimeve.

 

Shkalla e rritjes së çmimeve për sivjet në Kosovë parashikohet të jetë 3.5%. Vitin e shkuar inflacioni ishte 1.6%, ndërsa në vitin e ardhshëm parashihet të jetë 2.7%.

 

Nga vendet e rajonit, me shkallën më të lartë të inflacionit pritet të përballet Serbia, me 9%.

 

Për vitin 2025 parashihet rritje ekonomike globale prej 3.2%, ndërsa 3.1% për vitin 2026.

 

Për tregjet në zhvillim dhe në rritje në Azi parashihet rritje më e madhe sesa për ato në Evropë. Por, Eurozona pritet të shënojë rritje nga 0.9 në 1.2 më 2025-n, ndërsa 1.1% në vitin 2026.

 

Ditë më parë Banka Botërore tregoi se ekonomia e Kosovës u ngadalësua në 3.6% gjatë këtij viti.

 

Sipas të dhënave, rritja ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 ishte vetëm 3.6%, shumë më e ulët se pritjet e mëparshme dhe performanca e vitit 2024.

 

Ekonomia e Kosovës ka hyrë në një fazë ngadalësimi gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni është rikthyer si rezultat i çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve.

 

Në raport thuhet se në vitin 2025 presionet nga inflacioni janë rikthyer, të nxitura nga çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimeve, duke ulur kështu të ardhurat reale të disponueshme.

 

Tutje thuhet se vonesat e zgjatura në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë përparimin në reformat strukturore.

 

Në raport po ashtu thuhet se pagat reale u rritën me 10.3% në vitin 2024, të mbështetura nga një rritje e pagës minimale, por punësimi formal u rrit vetëm në mënyrë modeste, me një mesatare prej 1.4%në gjysmën e parë të vitit 2025.

 

“Inflacioni i konsumatorit arriti në 4.3% në korrik 2025, duke e çuar mesataren për periudhën janar–korrik në 3%. Edhe inflacioni bazë u rrit gjatë kësaj periudhe, duke arritur një mesatare prej 1.5% deri në korrik 2025”, thuhet në raportin e BB-së.

 

Edhe investimet u forcuan, me formimin bruto të kapitalit që u rrit me 13.6%, duke nxitur aktivitetin në ndërtimtari dhe industri përpunuese, ndërsa shërbimet financiare u zgjeruan përkrah kërkesës në rritje.

 

Kërkesa e fortë e brendshme gjithashtu nxiti rritjen e importeve, të cilat u rritën me 14.5% në pesë muajt e parë të vitit, duke tejkaluar një rritje prej 12% të eksporteve. /Monitor(https://monitor.al/fmn-parashikon-rritje-ekonomike-prej-3-9-ne-kosove/)


Më të lexuarat