Ndalimi i patinave elektrike në rrugë e trotuare, qytetarët do të duhet të presin kuadrin e ri ligjo
Është botuar sot në Fletoren Zyrtare udhëzimi nr. 169, datë 13 tetor 2025, që ndalon qarkullimin e patinave elektrike ose çdo kombinimi të tyre në rrugët urbane dhe në trotuare.
Edhe pse botohet sot, udhëzimi ka hyrë në fuqi që nga data 13 tetor, duke e bërë tashmë zyrtarisht të ndaluar përdorimin e këtyre mjeteve në hapësira publike.
Sipas dokumentit, ndalimi bëhet për arsye sigurie publike dhe për të shmangur rreziqet që krijohen në rrugë e trotuare nga qarkullimi i patinave elektrike, që “ndikojnë në rrjedhshmërinë e trafikut dhe në segmentet rrugore për përdorim publik”.
Zbatimi i ndalimit do të vazhdojë për një periudhë të pacaktuar, derisa të përgatitet dhe miratohet kuadri i ri ligjor mbi përdorimin e tyre.
Në udhëzim përcaktohet se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duhet të marrë masat e nevojshme për zbatimin e ndalimit, ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të vendosin sinjalistikën përkatëse në rrugë.
Kësisoj, qytetarët që përdorin patina elektrike mbeten në pritje pa afat për rregullat e reja që do të përcaktojnë se kur dhe si mund të rikthehen në qarkullim këto mjete, ndërkohë që ndalimi i tyre është tashmë në fuqi. /Ekofin.al