Secondary Adv

Shqipëria, ndër vendet më pak të varura nga importet e energjisë elektrike në Ballkan

Shqipëria rezulton ndër vendet më të pavarura energjetikisht në rajon, me vetëm 4.6% të energjisë së konsumuar që vjen nga importet.

Bilanci energjetik i Shqipërisë në 2024

Të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria ka pasur import neto prej 334 gigavat orë (GWh) në vitin 2024, që përfaqëson vetëm 4.6% të sasisë totale të energjisë në dispozicion për konsum final. Kjo e pozicionon vendin si një importues të moderuar në rajon dhe ndër më pak të varurit nga furnizimet e jashtme. Në krahasim, Maqedonia e Veriut kryeson me 710 GWh importe, Serbia me 520 GWh dhe Gjeorgjia me 180 GWh, ndërsa Qiproja ka arritur bilanc neutral me 0 GWh.

 

Rajoni: disa vende kalojnë në pozitë eksportuese

Disa ekonomi të rajonit kanë kaluar në bilanc pozitiv. Mali i Zi regjistroi një suficit prej –156 GWh, ndërsa Greqia –307 GWh. Turqia dhe Bullgaria mbeten eksportuesit më të mëdhenj rajonalë të energjisë elektrike me bilance përkatësisht –985 GWh dhe –987 GWh. Këto rezultate tregojnë ndryshimet e forta strukturore që po ndodhin në tregun rajonal të energjisë, ku disa shtete po konsolidohen si furnizues strategjikë.

 

Varësia nga importet në nivel rajonal dhe europian

Shqipëria mbulon pjesën dërrmuese të kërkesës së saj me prodhim vendas, kryesisht nga hidrocentralet. Në raport me konsumet finale, vetëm 4.6% e energjisë është importuar, më pak se Maqedonia e Veriut (14%), Rumania (6.5%) apo Gjermania (5.5%). Madje edhe vende më të zhvilluara si Italia dhe Portugalia shfaqin varësi më të lartë – përkatësisht 17.4% dhe 20.4%. Serbia dhe Gjeorgjia janë pothuaj neutrale, me 1.7% dhe 1.4%, ndërsa mesatarja e BE-së për vitin 2024 rezultoi paksa eksportuese, me bilanc –0.5%.

 

Shqipëria drejt diversifikimit të burimeve

Pavarësisht nivelit të ulët të varësisë nga importet, struktura aktuale e prodhimit energjetik në Shqipëri e bën sistemin të ndjeshëm ndaj kushteve klimatike, sidomos në periudhat me reshje të pakta. Ekspertët nënvizojnë nevojën për të diversifikuar burimet e prodhimit me energji diellore, eolike dhe gaz natyror për të rritur qëndrueshmërinë afatgjatë. Shqipëria konsiderohet një rast i veçantë në Ballkan për pavarësinë energjetike të mbështetur kryesisht në burime hidro, por sfida qëndron në sigurimin e stabilitetit në periudhat me thatësirë.

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat