Secondary Adv

FMN shpjegon pse uli parashikimin e rritjes për Shqipërinë, si Ballkani po e humb vrullin

Fondi Monetar Ndërkombëtar uli parashikimin e rritjes për Shqipërinë në 3.4% për vitin 2025, duke paralajmëruar ngadalësim ekonomik në rajon pas bumit të turizmit dhe ndërtimit.

Rritja e ngadaltë pas bumit post-pandemik

Raporti i fundit i FMN-së “Regional Economic Outlook for Europe, October 2025” sinjalizon fundin e periudhës së vrullshme të rimëkëmbjes në Europën Juglindore. Pas dy vitesh me rritje të fortë të nxitur nga turizmi dhe ndërtimi, ekonomitë e rajonit po përballen me rënie të kërkesës së brendshme, investime të ngadalta dhe kosto më të larta financimi. Kërkesa e dobët nga tregjet e Bashkimit Europian ka ndikuar gjithashtu në ngadalësimin e eksporteve.

 

Shqipëria, ndër vendet me rishikim më të fortë

FMN uli pritshmëritë për Shqipërinë nga 3.8% në 3.4% për vitin 2025, pas një rritjeje prej 4% në 2024. Sipas raportit, efektet e bumit turistik të viteve 2023–2024 po zbehen, ndërsa normat e larta të interesit dhe rritja e kostos së jetesës po ndikojnë në konsumin e familjeve dhe në ardhjet e vizitorëve të huaj. Grupi i vendeve të Europës Juglindore jashtë BE-së pritet të ketë një rritje mesatare prej 2.8%, nga 3.4% që ishte parashikuar më herët, duke përfshirë ulje për Shqipërinë, Serbinë, Rumaninë dhe Bosnjën.

 

FMN: Ballkani mbetet i varur nga konsum dhe remitanca

Raporti e përshkruan rajonin si një “zonë me rritje të pabarabartë dhe vonesë në reformat strukturore”. Vendet e Ballkanit mbështeten ende tek konsumi, remitancat dhe ndërtimi, ndërsa eksportet me vlerë të shtuar dhe investimet produktive mbeten të ulëta. Shqipëria, ndonëse më e qëndrueshme se disa fqinjë, mbetet e ekspozuar ndaj ngadalësimit të ekonomive të BE-së, ku pasiguritë gjeopolitike dhe inflacioni po ndikojnë negativisht në kërkesën për produkte dhe shërbime shqiptare.

 

Parashikimet afatmesme dhe sfidat strukturore

FMN parashikon që rritja e Shqipërisë të stabilizohet në intervalin 3.5–3.6% për vitet 2026–2027, në linjë me mesataren historike të dekadës së fundit. Megjithatë, raporti identifikon disa sfida kryesore: produktivitetin e ulët, emigracionin e lartë, varësinë nga turizmi dhe ndërtimi, vonesat në reforma institucionale dhe kapacitetin ende të kufizuar për të tërhequr investime prodhuese.

 

Thirrja e FMN-së: Nga njohja e problemeve te veprimi konkret

Fondi nënvizon se vendet e rajonit duhet të përqendrohen në rritjen e produktivitetit, forcimin e qeverisjes dhe diversifikimin e burimeve të rritjes përtej sektorëve të konsumit. “Europa Juglindore duhet të kalojë nga njohja e problemeve në veprim konkret”, thekson raporti, duke kërkuar politika fiskale më të disiplinuara, nxitje të investimeve eksportuese dhe përmirësim të klimës së biznesit.

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat