Startup-et shqiptare ngecin në garën rajonale, RCC: Mungojnë politikat dhe financimet
Raporti i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) e rendit Shqipërinë ndër ekosistemet më pak të zhvilluara të startup-eve në Ballkan, me rënie të ndjeshme të aktivitetit dhe mungesë rezultatesh konkrete.
Shqipëria ende në fazë të hershme
Sipas raportit “The Western Balkans Start-up Ecosystem at a Crossroads”, Shqipëria ka bërë përparime ligjore dhe institucionale për ndërtimin e një ekosistemi inovacioni, por mbetet prapa fqinjëve si Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Serbia kryeson me një rrjet të konsoliduar prej mbi 20 qendrash inovacioni dhe fonde kombëtare, ndërsa Kosova po avancon me investime në FinTech dhe AgriTech. Shqipëria, ndonëse ka reformuar legjislacionin dhe ka zhvilluar dixhitalizimin, ka densitet të ulët startup-esh dhe mungesë historish suksesi ndërkombëtare.
Potencial i pashfrytëzuar
Raporti e vlerëson Shqipërinë si vend me potencial të lartë, por me mungesë koherence në politikat për inovacion, fonde të pamjaftueshme dhe lidhje të dobëta me universitetet dhe diasporën. Kjo e vendos vendin në një pozicion të ngjashëm me Bosnjën dhe Malin e Zi, ndërkohë që Serbia dhe Kosova kanë tërhequr fonde shumë më të mëdha nga investitorët ndërkombëtarë.
Hendeku me rajonin
Ndryshe nga Serbia, që ka strategji të plotë për inteligjencën artificiale dhe parqe teknologjike, apo Kosova që në vitin 2024 siguroi mbi 50 milionë euro financime për startup-e, Shqipëria ka treguar më pak dinamizëm dhe mungon në listën e 1,000 qyteteve kryesore inovative të Europës Lindore. Tirana nuk renditet në këtë klasifikim, ndryshe nga Beogradi apo Shkupi që janë përfshirë me rezultate të qëndrueshme.
Rënie e dukshme në 2025
Indeksi global për ekosistemet e startup-eve për vitin 2025 e renditi Shqipërinë në vendin e 83-të në botë, me një rënie prej 19.1%. Kjo tregon për tkurrje të ndjeshme të aktivitetit krahasuar me një vit më parë. Tirana mungon në renditjen e qyteteve kryesore, ndërsa Serbia mban vendin e 56-të globalisht, me Beogradin në pozicionin e 197-të dhe Novi Sadin në të 502-in. Maqedonia e Veriut është e 78-ta në botë, Kosova e 97-ta dhe Bosnja e 91-ta.
Sfidat e vazhdueshme
Shqipëria përballet me të njëjtat sfida si rajoni: mungesë të ekspertizës në inovacion, ikje të trurit dhe financim të kufizuar. Raporti rekomandon politika afatgjata për mbështetje financiare, lidhje më të forta me universitetet dhe krijimin e infrastrukturës teknologjike që mund të kthejë vendin në një qendër konkurruese rajonale të startup-eve.