Secondary Adv

Të ardhurat për frymë, Shqipëria ndër vendet më të varfra në Europë

Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në kontinent, me më pak se 15 mijë PPS, ose më pak se 40% të mesatares së Bashkimit Europian.

Diferenca e thellë ekonomike me BE-në

Të dhënat më të fundit të Eurostat për GDP-në për frymë në standarde të fuqisë blerëse (PPS) tregojnë se në vitin 2023 mesatarja e BE-së ishte 38,100 PPS, ndërsa Shqipëria arriti më pak se 15,000 PPS. Kjo e vendos vendin në fund të renditjes evropiane për fuqinë ekonomike për frymë dhe nënvizon hendekun e madh që ndan Shqipërinë nga mesatarja e unionit.

 

Krahasimi me vendet e Ballkanit

Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nivele që variojnë nga 15,000 deri në 24,500 PPS, ndërsa rajonet kryesore si Beogradi dhe Shkupi afrohen me 65–80% të mesatares së BE-së. Në Mal të Zi, vetëm zona bregdetare Budva–Kotor arrin mbi kufirin e 15,000 PPS, ndërsa pjesa tjetër mbetet më afër Shqipërisë. Bosnja dhe Hercegovina ka tregues të ngjashëm me Shqipërinë, me përjashtime pranë Sarajevës.

Krahasuar me këto vende, Shqipëria nuk ka asnjë rajon që i afrohet nivelit të dytë të renditjes (15,000–24,500 PPS), duke dëshmuar për një ekonomi më të dobët në nivel rajonal.

 

Fqinjët e BE-së dhe kontrasti i thelluar

Në Bullgari, GDP-ja për frymë lëviz nga 15,000 deri në 24,500 PPS, ndërsa në rajonin e Sofjes ngjitet deri në 31,000 PPS. Greqia, në anën tjetër, ka shumicën e rajoneve në intervalin 24,500–31,000 PPS, me Atikën që arrin deri në 38,500 PPS — gati dy herë më shumë se Shqipëria. Një qytetar grek apo bullgar gëzon afërsisht dyfishin e fuqisë ekonomike të një shqiptari.

 

Evropa Qendrore dhe Perëndimore, një realitet tjetër

Vendet e Evropës Qendrore si Polonia, Çekia dhe Hungaria kanë kaluar tashmë në grupin 24,500–38,500 PPS, ndërsa Gjermania, Austria, Holanda dhe Skandinavia e kalojnë kufirin e 50,000 PPS, duke arritur 130% të mesatares së BE-së. Kjo do të thotë se një qytetar në këto vende prodhon gati katër herë më shumë vlerë ekonomike sesa një shqiptar.

 

Shqipëria në fund të renditjes

Sipas Eurostat, GDP-ja për frymë në Shqipëri vlerësohet në 11,000–12,000 PPS, ose vetëm një të tretën e mesatares evropiane. Diferenca e thellë ekonomike mbetet pengesë kryesore për afrimin me standardet e Bashkimit Europian, duke reflektuar nivele të ulëta produktiviteti dhe të ardhurash reale për qytetarët shqiptarë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat