Secondary Adv

Jetë stresuese, rriten sëmundjet e zemrës dhe rastet psikiatrike në spitale

Shtrimet spitalore ranë me 3% në janar–gusht 2025, por u rritën ndjeshëm rastet me probleme kardiake e psikiatrike.

Rritje 17.5% e trajtimeve kardiologjike

Sipas raportit të 8-mujorit për treguesit financiarë, në vitin 2025 janë trajtuar 7,543 pacientë në repartet e kardiologjisë, kundrejt 6,419 një vit më parë. Rritja me 17.5% lidhet me plakjen e popullsisë dhe diagnozat e vonuara në rrethe. Mjeku urgjentist Ilir Allkja thekson se “shumë pacientë nuk marrin trajtim të duhur në spitalet rajonale për shkak të mungesës së stafit dhe pajisjeve, duke u drejtuar në qendrat spitalore vetëm kur gjendja përkeqësohet.”

 

Rritje alarmante e rasteve psikiatrike

Numri i të shtruarve në spitalet psikiatrike arriti në 1,129 pacientë për janar–gusht 2025, me një rritje prej 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas mjekut Allkja, shtimi i rasteve lidhet me mungesën e strategjive për trajtimin ambulator të varësive ndaj alkoolit, hashashit dhe drogave të forta, që po ndikojnë në rritjen e dhunës dhe problemeve sociale. “Trajtimi i varësive duhet të kthehet në emergjencë kombëtare,” nënvizon ai.

 

Tendenca të tjera në sistemin shëndetësor

Rritje është vënë re edhe në disa shërbime të tjera: numri i pacientëve që marrin trajtim me dializë u rrit me 2.5%, ndërsa ndërhyrjet për katarakt u rritën me 15%. Ndërkohë, depistimet për kancerin e gjirit u rritën me 61%, por ato për kancerin e qafës së mitrës ranë me 32% krahasuar me vitin 2024.

 

Urgjencat mjekësore kanë përballuar mbi 97 mijë raste, një rritje me 3% në raport me një vit më parë. Specialistët paralajmërojnë se ndryshimet në stilin e jetesës, ndotja, stresi dhe mungesa e mjekëve të familjes po e rëndojnë situatën shëndetësore të popullsisë.

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat