Ministria e Infrastrukturës përfituesja më e madhe nga rishikimi i buxhetit, 60 mln euro shtesë
Qeveria rishikoi për herë të tretë buxhetin 2025, duke shtuar 60 milionë euro për projektet infrastrukturore dhe sektorin ajror.
Fonde shtesë për projektet rrugore strategjike
Rreth 24 milionë euro do të përdoren për projektet e transportit rrugor, përfshirë ndërtimin e rrugës lidhëse Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII, rikualifikimin urban të Superstradës Tiranë–Durrës (Faza I–III), ndërtimin e segmentit Kashar–Nyja Vaqarr (Faza III) dhe spostimin e linjave të tensionit të lartë përgjatë korridorit VIII. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, këto fonde do të shërbejnë për përshpejtimin e punimeve dhe hapjen e hapësirave buxhetore për projekte të reja në vitin 2026.
30 milionë euro për Albcontrol pas bllokimit të llogarive
Pjesa më e madhe e fondeve shtesë, rreth 30 milionë euro, i shkon kompanisë publike Albcontrol, e cila është përballur me vështirësi financiare pas bllokimit të llogarive për çështjen “Becchetti”. Mbështetja jepet në formën e transfertës kapitale për të garantuar vijimësinë e operacioneve dhe funksionimin normal të sistemit të menaxhimit të hapësirës ajrore shqiptare.
Projekte në transportin hekurudhor
Në sektorin hekurudhor janë parashikuar 3.6 milionë euro për zbatimin e projektit “Terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë (4 km)”, si pjesë e zgjatimit të linjës Durrës–Tiranë, me vlerë totale prej 18 milionë eurosh. Projekti synon përmirësimin e lidhjeve urbane dhe modernizimin e transportit publik në kryeqytet.