Secondary Adv

Familjet në Shkodër, Elbasan dhe Dibër çojnë gjysmën e buxhetit për ushqime

Familjet shqiptare shpenzojnë pothuajse 40% të buxhetit mujor për ushqime, ndërsa në disa qarqe kjo përqindje kalon gjysmën e të ardhurave.

Dibra, Elbasani dhe Shkodra me peshën më të lartë të ushqimeve

Të dhënat për vitin 2023 tregojnë se familjet në qarkun e Dibrës shpenzojnë 53.8% të buxhetit mujor për ushqime, në Elbasan 49.5% dhe në Shkodër 47.9%. Këto janë nivelet më të larta në vend dhe tregojnë për vështirësitë ekonomike të zonave të brendshme dhe verilindore.

 

Krahasuar me to, familjet në Tiranë shpenzojnë më pak se 40% të buxhetit për ushqime, ndërsa në Vlorë përqindja varion nga 40.1–44%. Në Kukës, Korçë dhe Berat, kjo shifër luhatet midis 44% dhe 48%.

 

Diferenca e thellë me Bashkimin Europian

Në Bashkimin Europian, familjet shpenzojnë mesatarisht vetëm 13% të buxhetit për ushqime dhe pije, shumë më pak se mesatarja shqiptare. Kjo diferencë e madhe tregon nivelin e ulët të të ardhurave për frymë dhe mungesën e hapësirës financiare për shpenzime në fusha si arsimi, shëndetësia apo kultura.

 

Tregues i varfërisë strukturore

Pesha e lartë e ushqimeve në buxhetin familjar mbetet një nga treguesit kryesorë të mirëqenies së ulët. Sa më shumë të shpenzojë një familje për produkte bazë, aq më pak mbeten burime për zhvillim apo kursim. Në qarqe si Dibra dhe Elbasani, shpenzimet janë të përqendruara te mbijetesa ekonomike, çka e bën popullsinë më të ekspozuar ndaj krizave dhe rritjes së çmimeve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat