Secondary Adv

Kosova rrezikon të mbetet pa fonde nga Plani i Rritjes i BE

Vonesat në formimin e institucioneve në Kosovë rrezikojnë humbjen e fondeve nga Plani i Rritjes i BE-së prej 6 miliardë eurosh.

880 milionë euro në rrezik për Kosovën

Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024–2027, parashikon mbi 880 milionë euro për Kosovën, nga të cilat 250 milionë janë grante pa kthim dhe pjesa tjetër kredi me kushte të favorshme. Por, ndryshe nga vendet fqinje – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – Kosova ende nuk ka përfituar as fondin e parë prej 61 milionë eurosh të parafinancimit, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale që të ratifikojnë marrëveshjen me BE-në.

 

Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina është në të njëjtën situatë, pasi nuk ka miratuar në kohë agjendën e reformave.

 

Ekspertët paralajmërojnë rishpërndarjen e fondeve

Sipas hulumtueses Donika Emini nga BiEPAG, vonesat po dërgojnë një sinjal negativ në Bruksel, ku “frustrimi me elitën politike kosovare po rritet”. Ajo paralajmëron se nëse Kosova nuk përfiton fondet brenda periudhës së programit, ato mund të rishpërndahen drejt vendeve që po ecin më shpejt me reformat.

 

Edhe eksperti Bekim Salihu nga Instituti GAP thekson se “pamundësia për të marrë fondet nënkupton pamundësi për të bërë reformat”, duke paralajmëruar vonesa të mëtejshme në zbatimin e agjendës së BE-së.

 

Komisioni Europian ka sqaruar më herët se, në rast të pezullimit për një apo dy vjet, fondet e papërdorura do të tërhiqen dhe mund të rishpërndahen midis vendeve që përmbushin kushtet.

 

Marrëdhëniet me BE-në në nivelin më të ulët të dekadës

Zvarritjet institucionale kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në raportet diplomatike me BE-në. Sipas Emini, “kanalet e komunikimit dhe koordinimit për reformat janë bllokuar”, ndërsa BE-ja ka pezulluar takimet zyrtare në ndërtesat qeveritare të Kosovës deri në krijimin e një qeverie me mandat të plotë.

 

Bekim Salihu shton se “raportet Kosovë–BE janë në nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, ndërsa vendi vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të vendosura në qershor 2023 pas tensioneve në veri.

 

Rreziku i humbjes së kohës dhe besueshmërisë

Ekspertët paralajmërojnë se nëse situata politike nuk zgjidhet shpejt, Kosova jo vetëm që mund të humbasë fondet e Planit të Rritjes, por edhe të thellojë hendekun me vendet e tjera të rajonit në procesin e integrimit evropian. Zbatimi i reformave mund të shtyhet përtej vitit 2027, duke sjellë humbje të mundësive për investime dhe përfshirje ekonomike në tregun evropian.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat