Secondary Adv

Bie numri i përfituesve të barnave të rimbursueshme, pavarësisht zgjerimit të listës

Bie numri i përfituesve të barnave të rimbursueshme, pavarësisht zgjerimit të listës me 50 medikamente të reja.

Një vit pas zgjerimit të listës së barnave të rimbursueshme me rreth 50 medikamente të reja, të dhënat tregojnë se numri i përfituesve ka pësuar rënie.

 

Sipas raportit “Për monitorimin e treguesve të Ministrisë së Shëndetësisë” për periudhën janar–gusht 2025, nga kjo listë kanë përfituar 358,178 pacientë, më pak se 400 mijë të parashikuar, me një kosto mesatare prej 6,226 lekësh për pacient. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, numri i përfituesve ka rënë me 3,320 pacientë, ose rreth 1 për qind.

 

Shpenzime më të ulëta për rimbursime në 2025

Për rimbursimin e barnave gjatë janar–gusht 2025 janë shpenzuar rreth 7.9 miliardë lekë, që përfaqësojnë 64 për qind të planit vjetor prej 12.6 miliardë lekësh. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ishin paguar 8.2 miliardë lekë nga 12.2 miliardë lekë të planifikuara, ose 68 për qind e planit. Kjo tregon një ritëm më të ngadaltë të shpenzimeve për barnat e rimbursueshme gjatë këtij viti.

 

Zgjerimi i listës dhe barnat e reja të përfshira

Lista e barnave të rimbursueshme u zgjerua në gusht 2024 me 50 medikamente të reja, duke e çuar numrin total të alternativave në 1,345 nga 1,191 më parë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në mesin e tyre përfshihen 38 principe aktive të reja dhe 18 forma të reja dozimi. Këto barna mbulojnë diagnoza të ndryshme, kryesisht në fushat e onkologjisë, sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit, patologjive të veshkave dhe sëmundjeve respiratore si astma dhe sëmundjet pulmonare kronike.

 

Përfituesit e fishave të diabetit në rritje

Gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2025, nga pajisjet mjekësore për matjen e diabetit (fishat) kanë përfituar 56,066 pacientë, ose 3,829 më shumë se në të njëjtën periudhë të 2024-s. Për këtë qëllim janë paguar 105.2 milionë lekë nga 250 milionë lekë të planifikuara, që përbën 70 për qind të planit vjetor.

 

Efekti i zgjerimit të kategorive përfituese

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 492, datë 24 korrik 2024, shtoi kategoritë përfituese të fishave për diabetin, duke përfshirë invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuara të grupmoshës 25–65 vjeç. Ky ndryshim solli rritje të ndjeshme të shpenzimeve për rimbursim.

 

Vetëm në vitin 2024, për fishat e diabetit u paguan 147.2 milionë lekë, kundrejt 110.5 milionë lekëve në 2023, një rritje prej 33 për qind. Po atë vit, 57,511 pacientë përfituan nga kjo skemë, ose 4 për qind më shumë se në vitin paraardhës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat