Secondary Adv

Bilanci i Bankës së Shqipërisë arrin vlerën më të lartë historike

Bilanci i Bankës së Shqipërisë ka arritur vlerën më të lartë historike, me një total prej gati 846 miliardë lekësh në fund të shtatorit.

Rritje e fortë e aktiveve dhe rezervës valutore

Totali i aktiveve është zgjeruar me 2.4% krahasuar me gushtin dhe me 11.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja tregon një injektim më të madh të parasë në ekonomi, teksa vlera e parasë në qarkullim është rritur me 15.5% në bazë vjetore.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, efektin kryesor në zgjerimin e aktiveve e kanë dhënë letrat me vlerë të jorezidentëve, të cilat arritën në mbi 514 miliardë lekë – një rritje prej 22% nga viti i kaluar. Edhe ari monetar, pjesë e rezervës valutore, ka shënuar rritje me 20%, duke arritur 57.6 miliardë lekë.

 

Rezerva valutore, në nivelin më të lartë historik

Rezerva valutore e vendit në gusht arriti në 7.1 miliardë euro, me një rritje prej 22% në krahasim me një vit më parë. Zgjerimi i saj lidhet me blerjet e valutës në tregun vendas, që Banka e Shqipërisë i përdor për të frenuar mbiçmimin e Lekut dhe për të ruajtur stabilitetin financiar.

 

Vetëm gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti, banka ka blerë rreth 800 milionë euro, ndërsa gjatë vitit të kaluar shifra arriti në 933 milionë euro. Në këtë rritje kanë ndikuar gjithashtu edhe faktorë afatshkurtër, si emetimi i Eurobondeve dhe luhatjet në çmimin e arit e letrave me vlerë në tregjet ndërkombëtare.

 

Burimi: Monitor 


Më të lexuarat