Tarifa e re për pasagjerët, kompanitë do paguajnë mbi 25 mln euro/vit për sistemin e Policisë
Qeveria ka miratuar një tarifë të re për kompanitë ajrore, detare dhe tokësore të transportit të pasagjerëve.
Kompanitë do të paguajnë 200 lekë për çdo pasagjer për transmetimin e të dhënave të udhëtimit në sistemin e ri të Sektorit të Inteligjencës së Udhëtarëve (SIU), që do të menaxhohet nga Policia e Shtetit.
Kosto prej 25 milionë euro në vit për operatorët
Duke marrë parasysh që gjatë vitit 2024 kanë hyrë dhe dalë nga vendi 12.3 milionë pasagjerë, llogaritet që vetëm kompanitë ajrore dhe detare do t’i paguajnë shtetit shqiptar rreth 25 milionë euro në vit – ose afro 2.1 milionë euro në muaj – për transmetimin e të dhënave të udhëtarëve. Tarifa do të rishikohet çdo tre vjet në bazë të kostove reale të shërbimit.
Ligji “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar nga Kuvendi në qershor 2025, përafron rregulloren evropiane 2004/82/KE, që detyron transportuesit të dërgojnë të dhënat e pasagjerëve në një sistem të unifikuar kombëtar. SIU do të përpunojë të dhënat e udhëtimit për qëllime sigurie dhe parandalimi të veprimtarive kriminale.
Të dhënat që do të transmetohen
Kompanitë do të dërgojnë të dhënat e pasagjerëve – përfshirë emrin, mbiemrin, datën e rezervimit, mënyrën e pagesës, numrin e bagazheve, adresën elektronike dhe statusin e check-in – 24 deri në 48 orë para nisjes, si dhe përsëritje të transmetimeve në intervalet 60 dhe 180 minuta para udhëtimit.
Tarifa do të paguhet nga kompanitë e transportit për çdo pasagjer që kanë transportuar në hyrje ose dalje nga Shqipëria gjatë muajit paraardhës, ndërsa të ardhurat do të përdoren për mbulimin e kostove të transmetimit, mirëmbajtjes dhe sigurisë së të dhënave.
Ministria e Brendshme: Masa për siguri kombëtare
Sipas Ministrisë së Brendshme, tarifa shërben për të financuar një sistem të domosdoshëm që ndihmon në identifikimin e kërcënimeve dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare. “Transmetimi i të dhënave ndihmon në identifikimin e rreziqeve ndaj sigurisë kufitare dhe ndalimin e kriminelëve ndërkombëtarë gjatë kalimeve kufitare,” – theksoi institucioni.
Kosto që mund të kalojë te pasagjerët
Ndryshe nga Bashkimi Europian, ku transmetimi i të dhënave mbulohet nga fondet publike, në Shqipëri kostoja e tarifës mbartet nga kompanitë private. Ekspertët paralajmërojnë se operatorët mund ta përfshijnë këtë tarifë në çmimin e biletave, duke e transferuar në mënyrë indirekte te pasagjerët.