Secondary Adv

Rruga e Borshit dhe ndërhyrjet në Ksamil e Orikum përfundojnë brenda qershorit 2026

Projektet e zhvillimit turistik në jug të Shqipërisë, që financohen nga Banka Botërore, pritet të përfundojnë deri në qershor 2026, duke përfshirë ndërtimin e rrugës së Borshit dhe ndërhyrjet urbane në Ksamil e Orikum.

Projekte për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për projektin e integrimit urban dhe zhvillimit të turizmit, punimet në disa nga zonat më të vizituara të vendit janë në fazë të avancuar. Deri më tani janë përfunduar të gjitha punimet civile në bashkitë Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë, ndërsa ndërhyrjet e reja në Ksamil, Orikum dhe Borsh janë në proces zbatimi.

 

“Nën huan shtesë të financimit, zbatimi i punimeve për përmirësimin urban në Ksamil dhe Orikum, ndërtimin e rrugës turistike të Borshit, restaurimin e kalasë së Kaninës, kalasë së Borshit dhe shpellës së Spillesë, si dhe ndërtimin e muzeut nënujëre të Sarandës, pritet të përfundojnë deri në qershor 2026,” thuhet në raportin e institucionit financiar ndërkombëtar.

 

Financim prej mbi 100 milionë dollarësh

Projekti i zhvillimit të turizmit përfshin katër komponentë kryesorë me një total prej mbi 105 milionë dollarësh:

– Përmirësimin e infrastrukturës dhe rikualifikimin urban (80.5 milionë USD);

– Restaurimin e siteve turistike (9.4 milionë USD);

– Zhvillimin e produkteve turistike dhe tregjeve (10.1 milionë USD);

– Mbështetjen për zbatimin e projektit (5.3 milionë USD).

 

Efektet në ekonomi dhe punësim

Banka Botërore vlerëson se projekti ka sjellë ndikim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik lokal dhe turizëm. Në zonat ku janë kryer ndërhyrje, janë krijuar mbi 2 mijë vende të reja pune dhe është rritur ndjeshëm aktiviteti turistik. Përmirësimet në infrastrukturë dhe restaurimi i siteve kulturore synojnë të rrisin qëndrueshmërinë dhe cilësinë e ofertës turistike shqiptare.

 

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat