Secondary Adv

Tarifa e re për pasagjerët, kompanitë e trageteve paralajmërojnë rritje të çmimeve me 2 euro

Tarifa e re prej 200 lekësh për pasagjer në Sektorin e Inteligjencës së Udhëtarëve pritet të rrisë menjëherë çmimin e biletave me rreth 2 euro.

Kompanitë e trageteve: tarifa e re, barrë shtesë për sektorin

Bernard Reso, drejtori i kompanisë “Adria Ferries”, konfirmon për Monitor se kjo është një tarifë e re që nuk është paguar më parë nga operatorët detarë, edhe pse të dhënat e pasagjerëve u transmetohen tashmë autoriteteve shqiptare dhe italiane pas imbarkimit. “Kjo mund të konsiderohet si një ‘taksë për policinë’, që do të reflektohet në çmimin e biletës së udhëtarëve. Çmimet do të rriten me të paktën 2 euro për pasagjer,” – deklaroi Reso.

 

Operatorët detarë shprehen se nuk janë njoftuar për mënyrën e re të raportimit të të dhënave dhe se aktualisht informacionet për pasagjerët dërgohen pa pagesë në format Excel tek pesë institucione shqiptare – Autoriteti Portual Durrës, Policia e Kufirit, Doganat, Kapiteneria e Porteve dhe AFTO – si dhe tek autoritetet italiane.

 

Kostoja e përgjithshme: mbi 25 milionë euro në vit

Sipas vlerësimeve të tregut, duke marrë për bazë numrin prej 12.3 milionë udhëtarësh që kanë hyrë dhe dalë nga vendi gjatë vitit 2024 përmes transportit ajror dhe detar, kompanitë do të paguajnë rreth 25 milionë euro në vit vetëm për tarifën e re. Kjo shumë pritet të reflektohet pjesërisht te çmimet e biletave, në varësi të politikës së secilës kompani transporti.

 

Rregullorja e re: si do të funksionojë Sektori i Inteligjencës së Udhëtarëve

Përveç vendimit për tarifën, qeveria ka miratuar edhe rregulloren për “Përpunimin e të dhënave të udhëtimit”, e cila përcakton mënyrën e funksionimit të njësisë së re në Policinë e Shtetit. SIU do të përbëhet nga personel i kualifikuar me certifikatë sigurie “Tepër sekret”, që do të përpunojë të dhënat e pasagjerëve 24 orë në ditë. Të dhënat do të dërgohen 24–48 orë para udhëtimit, pastaj 60 dhe 180 minuta para nisjes, dhe në fund të procesit të imbarkimit, duke përfshirë informacione si emër, mbiemër, shtetësi, mjetet e transportit dhe mënyrën e pagesës.

 

Qëllimi: rritja e sigurisë kombëtare

Sipas Ministrisë së Brendshme, qëllimi i ngritjes së SIU është forcimi i sigurisë kombëtare, identifikimi i rreziqeve dhe parandalimi i veprimtarive kriminale ndërkombëtare. Megjithatë, sektori privat paralajmëron se barra financiare e kësaj mase do të përfundojë te qytetarët, përmes rritjes së çmimit të biletave.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat