Secondary Adv

Një nga kompanitë më të mëdha të karburanteve në Kosovë, drejt hyrjes në tregun shqiptar

HIB Petrol nga Kosova po hyn në tregun shqiptar përmes filialit të ri që do të merret me tregtimin me shumicë të karburanteve.

Kompania kosovare që synon tregun shqiptar të karburanteve

HIB Petrol është pjesë e grupit HIB Holding, në pronësi të plotë të biznesmenit Ibrahim Bucaliu, dhe përbën një nga operatorët kryesorë të tregut të karburanteve në Kosovë. Sipas pasqyrave të konsoliduara për vitin 2024, grupi realizoi një xhiro totale prej rreth 216 milionë eurosh, në rritje me 29% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa shitjet nga tregtimi i naftës dhe nënprodukteve përbënin 173.5 milionë euro të kësaj shume.

 

HIB Petrol vlerësohet si subjekti i dytë më i madh në Kosovë për nga xhiroja, pas kompanisë Ex-Fis, duke operuar me rrjet stacionesh karburanti, marketesh dhe njësish shërbimi në gjithë vendin.

 

Tregu shqiptar, sfidë dhe mundësi e re për grupin HIB

Historikisht, tregu i karburanteve në Shqipëri është dominuar nga operatorë vendas si Kastrati Energy Trade, Gega Oil Group dhe Europetrol Durrës Albania. Investimet e huaja kanë qenë të kufizuara dhe zakonisht në partneritet me sipërmarrës shqiptarë, si rastet e Hellenic Petroleum, Alpet dhe Gulf.

 

Hyrja e HIB Petrol pritet të sjellë rritje të konkurrencës në sektorin e furnizimit me karburant dhe mund të nxisë dinamika të reja në tregun e shumicës.

 

Valë e re investimesh nga Kosova në Shqipëri

Ky hap vjen në kuadër të një vale më të gjerë zgjerimesh nga bizneset kosovare në tregun shqiptar. Vetëm gjatë vitit 2025, disa prej grupeve më të mëdha të Kosovës kanë realizuar blerje strategjike në sektorë të ndryshëm:

 

-Viva Fresh bleu rrjetin e marketeve Spar Albania për 36.4 milionë euro;

-ALBI Holding mori kontrollin e Fashion Group Albania nga Balfin Group për 7.6 milionë euro;

-KAN shpk, që zotëron markën KFC për Kosovën, bleu Global Fast Food Albania, duke marrë të drejtat e markës për Shqipërinë.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, deri në fund të vitit 2024 në Shqipëri vepronin 582 ndërmarrje me kapital nga Kosova, ndërsa investimet totale nga Kosova arritën në 485 milionë euro – një rritje me 440% në pesë vitet e fundit.

 

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve në rritje

Ekspertët e tregut e shohin zgjerimin e kompanive kosovare si një hap të natyrshëm në procesin e integrimit ekonomik Shqipëri–Kosovë, duke përforcuar zinxhirët e furnizimit dhe mundësitë për rritje në sektorët strategjikë të energjisë, tregtisë dhe shërbimeve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat