Secondary Adv

Vonesat në SEPA i kanë kushtuar Kosovës 29 mln euro në gjashtë muaj

Vonesat në anëtarësimin e Kosovës në SEPA po i kushtojnë ekonomisë rreth 29 milionë euro vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, paralajmëron EIC.

EIC: Anëtarësimi në SEPA, një hap vendimtar për integrimin financiar

Në një komunikatë zyrtare, Këshilli thekson se përfshirja e Kosovës në SEPA do të sillte përfitime të menjëhershme për qytetarët dhe bizneset, duke mundësuar pagesa më të lira, më të sigurta dhe më të shpejta, si dhe qasje më të gjerë në tregjet evropiane. Sipas vlerësimeve të EIC, përfitimet vjetore nga anëtarësimi në SEPA mund të arrijnë deri në 55 milionë euro.

 

“Vonesat në këtë proces i kanë kushtuar ekonomisë rreth 29 milionë euro vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit. Është thelbësore që reformat të vijojnë pa pengesa dhe në interes të publikut”, – theksohet në deklaratë.

 

Procesi teknik i avancuar, por pengesat ligjore mbeten

Këshilli vlerëson punën e bërë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Komisionin Evropian, duke theksuar se përgatitjet teknike dhe rregullative kanë avancuar ndjeshëm. Megjithatë, procesi aktualisht ndodhet në pritje të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të lejojë vijimin e reformave ligjore që mundësojnë integrimin e plotë në SEPA.

 

Integrimi në rrjetin evropian të pagesave, prioritet kombëtar

EIC nënvizon se Kosova ka mundësi reale për të mos mbetur prapa vendeve të tjera të rajonit dhe për të përfituar nga integrimi në rrjetin unik të pagesave evropiane. “Anëtarësimi në SEPA do të modernizojë infrastrukturën financiare të vendit, do të ulë kostot për bizneset dhe qytetarët dhe do ta bëjë ekonominë më tërheqëse për investime të huaja,” – thuhet në komunikatë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat