Secondary Adv

Procesi i Berlinit, 15 nisma të reja për bashkëpunim rajonal

Vendet e Ballkanit Perëndimor miratuan 15 nisma të reja në kuadër të Procesit të Berlinit për tregun e përbashkët dhe Agjendën e Gjelbër.

Synimi: Treg i përbashkët dhe zhvillim i qëndrueshëm

Sipas KRB, nismat e reja mbulojnë fusha kyçe si financat e qëndrueshme, investimet, digjitalizimin, transportin, turizmin dhe edukimin financiar. Objektivi është integrimi më i thellë ekonomik dhe mjedisor i rajonit me Bashkimin Europian, duke rritur konkurrueshmërinë dhe transparencën.

 

Një ndër arritjet kryesore është Standardi i Bonove të Gjelbra për WB6, i cili garanton që fondet e mbledhura do të përdoren për projekte të verifikuara mjedisore, si energjia e pastër dhe përmirësimi i ndërtesave publike.

 

Financa e gjelbër dhe investimet e qëndrueshme

Rajoni ka miratuar edhe “Listën e Bardhë të Taksonomisë së Financave të Qëndrueshme”, që synon të dallojë projektet me ndikim real në mjedis dhe të shmangë abuzimet me etiketën “e gjelbër”. Kjo listë ndihmon në orientimin e kapitalit publik dhe privat drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

 

Ndërkohë, përmes Rekomandimit për Investime të Qëndrueshme të Huaja, qeveritë do të mund të përfshijnë standarde mjedisore dhe sociale në marrëveshjet me investitorët, duke përdorur Klauzola Model për mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të punëtorëve.

 

Turizëm, arsim dhe digjitalizim në qendër të bashkëpunimit

Një tjetër komponent i rëndësishëm është brandi rajonal i turizmit për WB6, që do të promovojë Ballkanin Perëndimor si një destinacion të përbashkët, të qëndrueshëm dhe mikpritës. Në fushën e arsimit financiar, është krijuar Korniza Rajonale për Edukimin Financiar, e cila përfshin mbi 600 kompetenca për menaxhimin e parasë dhe përdorimin e mjeteve digjitale financiare.

 

Po ashtu, KRB ka prezantuar Platformën për Identitetin Digjital Rajonal dhe Bazën Rajonale të të Dhënave për Sigurinë Kibernetike, që synojnë të forcojnë besimin dhe interoperabilitetin e shërbimeve online ndërmjet vendeve të rajonit.

 

Lehtësim investimesh dhe prokurim publik të gjelbër

Një tjetër nismë kyçe janë Parimet e Përbashkëta për Lehtësimin e Investimeve, që thjeshtojnë procedurat dhe reduktojnë burokracinë për bizneset. Ndërkohë, Prokurimi i Gjelbër Publik synon që shpenzimet e shtetit të orientohen drejt produkteve dhe shërbimeve me ndikim të ulët mjedisor, duke ndihmuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

 

Lëvizshmëri dhe mbrojtje sociale

Në aspektin social, Deklarata e Liderëve për Portabilitetin e Sigurimeve Shoqërore garanton që qytetarët të ruajnë të drejtat e tyre sociale kur punojnë në vende të ndryshme të Ballkanit, duke nxitur lëvizshmërinë e fuqisë punëtore në rajon.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat