Sundimi i ligjit, Shqipëria përmirëson pozicionin, por mbetet ndër të fundit në Ballkan
Shqipëria është ngjitur me dy pozicione në Indeksin e Sundimit të Ligjit 2025, duke u renditur e 87-ta nga 143 vende, por mbetet pas rajonit.
Përmirësim i kufizuar, por progres në drejtësinë penale
Krahasuar me vitin 2024, kur mbante vendin e 89, Shqipëria ka shënuar një rritje modeste në renditje, e nxitur kryesisht nga përmirësimet në treguesin e drejtësisë penale, ku është ngjitur me 10 vende dhe renditet në pozicionin e 82-të. Po ashtu, përmirësim i lehtë është shënuar në mungesën e korrupsionit (vendi 105) dhe në zbatimin e rregulloreve (vendi 111), duke reflektuar një përpjekje të moderuar për forcimin e institucioneve ligjore.
Megjithatë, Shqipëria vijon të ketë dobësi të theksuara në kufizimin e pushtetit të qeverisë (vendi 105) dhe zbatimin e rregullave, çka tregon për ndikim të lartë politik dhe sfida në pavarësinë institucionale.
Ballkani Perëndimor: Mali i Zi kryeson, Serbia më poshtë se Shqipëria
Në rajon, Mali i Zi mban pozicionin më të lartë (vendi 55), i ndjekur nga Kosova (59) dhe Maqedonia e Veriut (64). Shqipëria renditet e parafundit në Ballkan, duke lënë pas vetëm Serbinë, e cila ndodhet në vendin e 96. Kjo tregon se, megjithëse ka bërë hapa përpara, vendi mbetet prapa fqinjëve në forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike.
Recesioni global i sundimit të ligjit thellohet në 2025
Sipas raportit të World Justice Project, viti 2025 ka shënuar përkeqësimin më të madh global të sundimit të ligjit në një dekadë. Rreth 68% e vendeve të analizuara kanë pësuar rënie në performancë, krahasuar me 57% një vit më parë. “Ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme është proces i gjatë, por shembja e tyre ndodh shumë shpejt,” deklaroi drejtori ekzekutiv i WJP, Alejandro Ponce.
Rënia më e fortë është vërejtur në treguesit që matin kufizimet ndaj pushtetit ekzekutiv, transparencën qeveritare dhe respektimin e të drejtave themelore, duke reflektuar zgjerimin e prirjeve autoritare në shumë vende.
Vendet me performancën më të mirë
Në krye të renditjes globale qëndrojnë Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia, të cilat ruajnë pozitat tradicionale si vendet me nivelin më të lartë të sundimit të ligjit në botë. Në fund të listës gjenden Venezuela, Kamboxhia dhe Afganistani.